Nga Auron Tare

E para duhet të dini se Vrima e Kopiles dhe hyrja ne Shpellën e lidhur me këtë toponim është një vend i njohur për banorët e zonës së Leskovikut.

E dyta ekipi çek ka qenë i ftuar nga njësia vendore e Leskovikut, për të bërë markimin e shtigjeve për turizmin malor. Ndihmë që ky ekip çekësh e ka bërë edhe në Kanionet e Nivicës në bashkepunim me Bashkinë e Tepelenës.

Për këtë mikro projekt duhet falenderuar në veçanti z. Nardi Konica, si dhe Edi Culani, Berti Nasi dhe Berti Muzikanti, të cilët kanë qenë ekspertët vendas që kanë udhëhequr çekët në shtigjet dhe zonat më interesante të kësaj pjese të Shqipërisë. Pa ndihmën e tyre ky projekt për qasjen ndaj turizmin kulturor të zonës së Leskovikut do të ishte i pamundur.

Ekipi çek, nje pjesë e të cilëve, siç thashë, kanë punuar me ne edhe në Nivicë, u ftuan për të ndihmuar në krijimin e një koncepti për turizmin malor në zonën e Leskovikut. Pjesë e ketij mikro-projekti ishte edhe eksplorimi i disa pikave me interes natyror, ku Edi Culani njohës i shkëlqyer i zonës e drejtoi ekipin në këtë shpelle, shpellë të cilën ai vetë e ka eksploruar deri në thellësinë 400 metra.

Pjesë e ketij mikro projekti ishte edhe një grup i vogël etimologësh, biologësh dhe orintologë sh britanikë sëbashku me dy ekspertë shqiptarë për të bërë iventarin e Fluturave, Orkideve dhe Zogjve të zonës. Duhet thënë se vetëm Krahina e Leskovikut sipas këtyre studiuesve ka 4 herë më shumë specie fluturash se e gjithë Britania e Madhe.

Me sa duket miqtë çekë pasi u futën në Shpellën e Lumit kanë ftuar speleologët per ta eksploruar më tej. Por në bashkëpunimet ndërkombëtare në Europe apo më tej ka një protokoll normal që të gjitha eksplorimet apo kërkimet në territorin e një shteti bëhen në bashkëpunim me autoritetet lokale apo qendrore.

Fakti që miqtë tanë çekë vendosën të bëjnë një lajm të tillë pa pjesëmarjen e Njësisë Vendore si dhe miqve shqiptarë që punuan bashkarisht, mendoj unë, nuk eshte korrekte.

Gjithsesi pak vemendje për Leskovikun është diçka pozitive dhe një mënyre për të bërë të ditur rëndësinë e madhe të kësaj zone në turizmin kulturor dhe natyror.