14 Dhjetor 2024

Tensionet në rritje mes shqiptarëve dhe maqedonasve i kanë dhënë sinjalet prej muajsh. Nën pretendimin e ndërhyrjeve në rrugë, në fillim të shtatorit 2024, u hoq mbishkrimi shqip në tabelën e autostradës Bllacë- Shkup.

Ndryshe nga sinjalistika e vjetër, tabela e re përmbante mbishkrime në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht por jo shqip. Për shkak të reagimeve të forta, ajo u hoq vetëm disa orë më pas për tu rivendosur sërish edhe me mbishkrimin në shqip.

‘Ne e kemi bërë me dije se prekja e gjuhës shqipe është prekja e më të shenjtës sonë që e kemi si popull. Aty tejkalohen vijat e kuqe’ u shpreh ish-ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

‘Cilado parti maqedonase do të tentojë që shqipen ta kthejë në gjuhë të dytë do të ketë probleme serioze, pasi lufta e vitit 2001 u ndal dhe gjuha shqipe ishte një nga pikat kryesore’ u shpreh Arsim Sinani, ekspert i çështjeve të gjuhëve

Ligji për përdorimin e gjuhëve buron nga Marrëveshja e Ohrit, që njihet ndryshe edhe si kushtetuta politike. Ajo i dha fund konfliktit të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave ushtarake e policore maqedonase në vitin 2001.

Pavarësisht ndasive politike mes shqiptarëve të Maqedonisë, palët bien dakord kur thonë se ligji nuk është i përkryer, por ai shtroi themelet për të ushtruar një të drejtë themelore të shqiptarëve.

‘Ne nuk mund të presim nga pala maqedonase që me vullnetin e tyre të lirë të lejojnë përdorimin e gjuhës shqipe, dhe të drejtat fitohen dhe nuk dhurohen. Ndaj e shoh më shumë si mungesë të vullnetit të politikanëve shqiptarë në qeverisjet e deritanishme që të insistojnë deri në fund që së paku ky ligj të implementohej kështu siç ishte miratuar’ u shpreh Bilall Kasami, Kryetar/ Komuna Tetovë.

‘Gjuha shqipe me ligj është bërë gjuhë e barabartë me maqedonishten në të gjitha nivelet, nga vula e presidentit të shtetit deri tek institucioni më lokal është zyrtare në Maqedoninë e veriut’ u shpreh ish-ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Top Channel