Fatos Lubonja analizon situatën e tensionuar në Veri: – Kurti mendoi se do kishte më shumë mbështetje nga Perëndimi
1 Qershor 2023
Analisti Fatos Lubonja, në një lidhje skype në emisionin “Open” në News24, ka deklaruar se tensionet në veri të Kosovës paraqesin një situatë komplekse, me shumë aktorë të brendshëm e të jashtëm dhe të varur si nga lufta në Ukrainë, ashtu edhe nga qëndrimi i palëve në lidhje me krijimin ose jo të Asociacionit.
Ai ka shtuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të jetë nxituar në hapat e ndjekur, por se reagimi i ndërkombëtarëve lidhet pa dyshim me çështje të tjera më të mëdha që kalojnë problemin se kush qeveris katër komunat në veri.
Lubonja u shpreh se edhe nëse Albin Kurti do të bëjë hap pas nga kjo situatë, duhet që një gjë të tillë ta bëjë me dinjitet.
“Situatë komplekse, ka shumë faktorë në lojë, ballkanikë, të brendshëm e ndërkombëtarë. Nuk është çështje e katër komunave. Kurti ndoshta ka gabuar që ka dërguar policinë atje dhe kërkon të qeverisë me 3 përqind. Kjo mund të zgjidhej kollaj, serbët nuk kanë problem kush i qeveris ato zona sepse janë mbi 90 përqind.
Çështja është më e thellë. Konflikti në një nivel të dytë është ai i Asociacionit, që Vuçiçi e kërkon si një provë forcë, ndërkohë Kurti e kundërshton sepse nuk do bosnjëzimi.
Niveli i tretë është lufta në Ukrainë ku janë interesat e NATO-s dhe Rusisë. Ky konflikt duhet të fokusohet tek Ukraina. Konteksti është Ukraina që po bëhen këto lëvizje.
Sot lajmi i parë ishte a do bëhet Kosova një Ukrainë e dytë, pra Serbia me justifikimin që po mbron të drejtat e një komuniteti mund të pushtojë një pjesë të Kosovës. Si do reagojë NATO? A do e mbrojë si Ukrainën?
Kurti duhet të ishte treguar më i matur në këtë ndërhyrje me polici për të vendosur kryetarët e komunave.
Nuk mund të fajësoj vetëm Kurtin, sepse nëse do ishte çështja vetëm tek komunat do ishte zgjidhur shumë shpejt në takimet që kishin. Problemi është se pas saj qëndron Asociacioni që Kurti nuk e pranon.
Pra është një situatë më e komplikuar. Kurti i ka mëshuar pak gazit në këtë punë duke menduar se Serbia është e dobët në situatën me Rusinë, si aleate e Rusisë, duke menduar që do kenë më shumë mbështetje nga Perëndimi.
Duhet një hap pas por pa nënshtrim që çdo gjë që thonë ata është e drejtë.
Një dinjitet duhet ruajtur”, tha ai.