Fatura e Arbitrazhit “Becchetti” fut në kolaps dhe zinxhir borxhesh institucionet publike, ja si 71.8 milion eurot e bllokuara të llogarive shqiptare pranë Eurocontrol po detyrojnë qeverinë të mbajë me “serum” AlbControl
27 Korrik 2023
Nga Sidorela BRAÇJA
Kompania e navigimit ajror, AlbControl, duket se po shkon drejt një kolapsi financiar, pasi Gjykata e Apelit në Bruksel vendosi bllokimin e llogarive në favor të biznesmenit Francesco Becchetti. Të dhënat e siguruara nga “Ina Media” tregojnë se, nga 71.8 milionë euro të bllokuara deri më tani, 67.3 janë të AlbControl-it dhe 4.3 milionë euro, të Autoritetit të Aviacionit Civil. Gazeta “SOT” në mënyrë sistematike ka raportuar se shumë llogari të Shqipërisë jashtë vendit janë bllokuar, për shkak se shteti shqiptar ka humbur gjyqet në arbitrazh, sikundër është rasti i aseteve të AlbControl. Por për të fshehur dështimin, shteti e ka ndihmuar me 32 milionë euro AlbControl-in, nëpërmjet disa transaksioneve të fshehta, në formën e huave. Kjo ka bërë që Shqipëria të paguajë de facto 30% të faturës prej 108 milionë eurosh për gjyqin e humbur në Arbitrazhin ndërkombëtar.
Bllokimi i llogarive shqiptare
Më 15 maj të këtij viti, Gjykata e Apelit në Bruksel vendosi që t`i mbajë të bllokuara llogaritë e kompanisë shtetërore të navigimit ajror, AlbControl, duke e futur në një spirale vështirësish financiare. Pas refuzimit të shtetit shqiptar për ta dëmshpërblyer me 108 milionë euro, llogaritë e shtetit shqiptar janë bllokuar që në vitin 2020, në favor të biznesmenit italian Francesco Becchetti, si një masë përmbarimore ndaj aseteve të Shqipërisë. Becchetti ka fituar të drejtën për t’u dëmshpërblyer në çështjen Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë, në bazë të një vendimi që ka dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Investimeve në vitin 2019. Shpresat te një fitore e gjyqit për të liruar paratë, që operatorët e fluturimeve hedhin në llogarinë e saj pranë Eurocontrol-it, u shuan përfundimisht disa javë më parë, ndërsa qeveria vijon që të refuzojë pagesën e detyrimeve të gjyqit të Arbitrazhit. Të dhënat e siguruara nga “Ina Media” tregojnë se që prej nëntorit të vitit 2020, kur Gjykata e Shkallës së Parë në Vjenë i dha të drejtë biznesmenit Becchetti që të bllokojë asete të Shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian dhe deri në qershor të këtij viti, AlbControl-it i janë bllokuar 67.5 milionë euro dhe 4.3 milionë euro të tjera i janë bllokuar Autoritetit të Aviacionit Civil, shumë që përbën 66% të faturës, që Shqipëria duhet t’i paguajë biznesmenit italian, pa llogaritur kamatat. Për të mbijetuar kompania Albcontrol ka marrë gjithsej 32 milionë euro hua nga 3 agjenci shtetërore: Autoriteti Portual, Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Autoriteti i Aviacionit Civil. Të kontaktuar nga “Ina Media” zyrtarë të AlbControl-it nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. “Ina Media” kontaktoi dhe me zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, por komenti nuk ishte i arritshëm deri në momentin e publikimit të shkrimit.
Agjencitë, në zinxhir borxhesh
E gjendur në situatë të vështirë dhe e paaftë për të përballuar funksionet e saj, kompania publike ndihmohet nga disa agjenci shtetërore nën koordinimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe asaj të Financave dhe Ekonomisë. Vitin e shkuar AlbControl mori 5.8 milionë euro hua nga Autoriteti Portual, Durrës, 4 milionë euro nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe 18.8 milionë euro nga Autoriteti i Aviacionit Civil. AlbControl ka marrë dhe 4.5 milionë euro të tjera borxh nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor për pjesën e parë të këtij viti, duke akumuluar në total 33 milionë euro detyrime. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Brukselit i dha fund shpresës për të patur akses në paratë e bllokuara dhe tashmë kompania po përballet me kërkesat për shlyerjen e borxheve. AlbControl arriti të paguajë vetëm huan e marrë pranë Autoritetit Portual, Durrës. Vetë Autoriteti Portual, Durrës u detyrua që të prishë një investim me vlerë 1 miliard lekë (9.4 milionë euro) pranë fondit Credins Premium, ku përmes operacioneve, që kishte si funksion ky portofol investimi, i jepte hua shtetit shqiptar, duke fituar në 2 vjet 670 mijë euro. Kur autoritetet e kuptuan që Autoriteti Portual, Durrës nuk po i transferonte fitimet në buxhet, por po i përdorte paratë e fituara për t’ia dhënë me interes shtetit, e urdhëruan që investimi të prishej dhe fondi të shkonte për të ndihmuar kompaninë AlbControl. Reagojnë ekspertët
Por në planin financiar të AlbControl-it parashikohet që huaja me vlerë 8.5 milionë euro ndaj Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor të paguhet në dy këste, 2.8 milionë euro, gjatë tremujorit të tretë 2023 dhe pjesa e mbetur, në fund të vitit. Në fund të vitit llogaritet të paguhen edhe 18.8 milionë euro, që janë marrë nga Autoriteti i Aviacionit Civil, por këto projektime sipas ekspertëve duket se do të mbeten në letër, nëse paratë e bllokuara nuk lirohen. “Vendi i ekzekutimit të detyrimit ka gjetur ligj të zbatueshëm ligjin e vendit ku zbatohet detyrimi. Në rastin konkret është shteti belg. Paratë janë gjetur në Bruksel, kanë kontraktuar një përmbarues belg dhe atje sipas ligjit kryhen dhe veprimet përmbarimore. Janë veprime përmbarimore në bazë të ligjit atje dhe paratë edhe mund të tërhiqen në bazë të procesit që parashikon Kodi i Procedurës Civile atje”, sqaron Ledina Mandija.
Një burim pranë AlbControl-it tha në kushtet e anonimatit se, edhe pse në vitin 2022 kompania rezulton me fitim neto në vlerën 11.2 milionë euro, është vetëm një shifër në letra, pasi paratë qëndrojnë të bllokuara. Në këto kushte AlbControl nuk llogarit as derdhjen e pagesës për fitimin pranë Drejtorisë së Tatimeve për 15% të fitimit të vitit 2022, shumë që sipas bilancit të shoqërisë do t’i takonte të paguante 1.7 milionë euro. Për vitin 2023 tabelat financiare, të siguruara nga INA, tregojnë se AlbControl nuk do të gjenerojë fitim as në vlerë kontabël, pavarësisht rritjes së fluksit të fluturimeve në hapësirën ajrore, shqiptare. Ekspertët e Aviacionit Civil e konsiderojnë cenimin e operacioneve të navigimit nga mungesa e likuiditetit si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme, ndërsa shprehin indinjatë, që manovrat e ndihmës së buxhetit janë bërë në mënyrë të fshehtë dhe pa dhënë sinjale sigurie për publikun. “Deri më sot nuk ka patur probleme për mirëmbajtjen e aparaturave apo blerjen e radarëve dhe dhënien e pagave të kontrollorëve. Këto janë të domosdoshme për sigurinë e fluturimeve në hapësirën shqiptare, por kjo kompani ka dalë tërësisht jashtë statutit të saj, i cili sanksionon, që mund t`i përdorë fondet vetëm për nevojat e saj, por në fakt ka bërë investime, siç është ai tek Air Albania. Nuk ka patur mirë-menaxhim të financave”, thotë eksperti Goxhaj.
Ekspertët financiarë janë të shqetësuar, se përfshirja e agjencive të tjera në një rrjet borxhesh shkatërron disiplinën financiare dhe mund të krijojë probleme për funksionin bazë të shërbimeve, që ato iu ofrojnë qytetarëve dhe bizneseve. “Duhet një plan për skenarët e daljes nga kjo situatë. Grumbullimi i shumë borxheve e bën kompaninë më pas, që ose duhet të shpëtohet nga shteti, ose do të shpallë falimentin. Të dyja këto është e mundur të parandalohen, nëse zbatohet ligji për menaxhimin e financave publike”, thotë Eduart Gjokutaj. Ata thonë se, edhe pse qeveria nuk ka pranuar që ta paguajë faturën e Arbitrazhit, nëse do të mblidheshin shumat e huave që kanë shkuar për AlbControl-in dhe nuk janë transferuar në buxhetin e shtetit, apo efekti në buxhetin e shtetit i taksave, që do të derdheshin nga kompania, ka bërë që Shqipëria de facto të ketë paguar 30% të faturës së Arbitrazhit. “Askujt nuk i vjen mirë që të paguajë faturën e Arbitrazhit, por kjo tashmë ka kaluar në çështje ekonomike dhe duhet të ketë transparencë. Duhet t’i thuhet dhe publikut se sa do të merren nga taksat e tij për faturën e kësaj gjobe”, shton Gjokutaj.
Qeveria ndihmon me transferta të fshehta
10 ditë përpara se të mbyllej viti 2022, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë urdhëron transferimin e një shume me vlerë 2 miliardë lekë (18.8 milionë euro) në formën e grantit nga llogaritë e saj në arkën e Autoritetit të Aviacionit Civil. Shkresa për dërgimin e shumës u firmos më 21 dhjetor 2022 dhe urdhër-shpenzimi nga Thesari u ekzekutua në datën 27 dhjetor. Transaksioni i fshehtë kishte si qëllim dërgimin e parave pranë kompanisë AlbControl për ta shpëtuar nga faturat dhe borxhet e shumta, por kjo ligjërisht nuk lejohet, pasi shteti nuk mund të injektojë kapital në kompanitë publike, vetëm nëse bëhet me ligj të veçantë apo kur ka si qëllim subvencionimin e çmimeve.
Për të qenë në përmbushje të detyrimeve ligjore, vendoset që transferta të bëhej ndaj Autoritetit të Aviacionit Civil, duke e përdorur si llogari transit, i cili më pas do ta dërgojë si hua për AlbControl-in. Më datën 29 dhjetor buxheti i shtetit rishikohet dhe i shton një shumë të përafërt (16.1 milionë euro) buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas dokumenteve të pasqyrave financiare të Autoritetit të Aviacionit Civil, të siguruara nga INA MEDIA, rezulton se fondi me vlerë 2 miliardë lekë (18.8 milionë euro) ka hyrë dhe ka dalë brenda pak ditësh nga llogaria e AAC. Vetë Autoriteti i Aviacionit Civil është duke pritur lirimin e llogarive pranë Eurocontrol-it për mbledhjen e tarifës së kostos së rrugës (en-route), e cila për vitet 2021, 2022 dhe 2023 llogaritet të jetë 4.3 milionë euro. Tarifa mblidhet nga AlbControl-i, i cili më pas ia kalon kësaj agjencie, por bllokimi i fondeve ka bërë që edhe ky institucion t`i ngrijë planet se si do t’i përdorë këto të ardhura apo transferimin e tyre në buxhetin e shtetit, nëse janë më tepër se shpenzimet e planifikuara.
Gazeta Sot