Fatura e frikshme: – Austriakët kërkojnë 150 mln euro nga Rama
15 Prill 2023
Një tjetër gjyq arbitrazhi rrezikon Shqipërinë, ku kompania Ivicom holding, kërkon 150 milionë euro dëmshpërblim pas prishjes së njëanshme të marrëveshjes për ndërtimin e një centrali në zonën e Korçës. Vetëm 1 javë më parë, Ministria e Financave ka paguar rreth 150 milionë lekë të vjetra në llogari të një studio ligjore suedeze dhe 500 mijë euro për konsulencë në lidhje me këtë proces arbitrazhi
Në fund të javës së kaluar, Ministria e Financave kreu një pagesë në vlerë rreth 150 milionë lekë të vjetra në llogarinë e studios ligjore suedeze “AFRY Management Consulting”, e cila po përfaqëson Shqipërinë në Arbitrazhin Ndërkombëtar përballë kompanisë austriake “Ivicom Holding”.
Deri më tani, qeveria shqiptare ka paguar rreth 500 mijë euro konsulencë dhe shërbime administrative në këtë proces arbitrazhi, i cili do të trondisë fuqishëm financat publike në rast fitoreje nga kompania e huaj.
Shoqëria kërkon plot 150 milionë euro dëmshpërblim nga shteti shqiptar, për prishjen e njëanshme të marrëveshjes për ndërtimin e një centrali elektrik në zonën e Korçës.
Padia është dorëzuar vitin e kaluar në arbitrazhin e Dhomës Suedeze të Tregtisë- dhe tashmë kanë nisur procedurat rutinore gjyqësore.
Në vitin 2018, kompania me seli në Austri, “Ivicom Holding” i paraqiti qeverisë shqiptare projektin për ndërtimin e një centrali në zonën e Zëmblakut, i cili do të përdorte gazin e transportuar nga gazsjellësi TAP për të prodhuar energji elektrike.
Qeveria e Edi Ramës e pranoi propozimin dhe i akordoi subjektit “GPP Korça”, një kompani bijë e “Ivicom”, statusin e investitorit strategjik, të kushtëzuar pasi të kishte marrë lejet përkatëse.
Projekti i kompanisë së huaj synonte ndërtimin e centralit me kapacitet 500 megavat dhe punësimin e 400 personave. Vlera e investimit përllogaritej në rreth 350 milionë euro.
Por, të dhënat e publikuara më herët në media treguan se Ministria e Mjedisit nuk pranoi të jepte lejen mjedisore për këtë projekt, pas protestave se do të kishte ndikime të mëdha në mjedis.
Projekti i ndërtimit të centralit mbeti në letër, ndërkohë që kompania “Ivicom” kërkon në Gjykatën e Arbitrazhit të Suedisë një dëmshpërblim prej 150 milionë euro.
Pak ditë më parë, Arbitrazhi i Bankës Botërore, ICSID, dënoi qeveria e Edi Ramës me 110 milionë lekë gjobë, në një proces ligjor me sipërmarrësin italian, Françesko Beketi. Kësaj shume i shtohet edhe vlera e mbi 3 milionë euro të paguara për studiot ligjore.
Po së fundmi, kompania gjermane që operon në kalatën lindore të Portit të Durrësit, ‘EMS Shipping”, ka dorëzuar në arbitrazhin ICSID një padi kundër shtetit shqiptar.
EMS Shipping ankohet se projekti i Marinës së Jahteve në Durrës dëmton rëndë interesat e saj ekonomike, pasi pezullon aktivitetin koncesionar të fituar me një kontratë 35-vjeçare.
Ndërkohë, në arbitrazhin ndërkombëtar është në shqyrtim edhe padia e kompanive “Dondi dhe Kubota”. Ata kërkojnë 80 milionë euro nga shteti shqiptar, për prishjen e njëanshme të kontratës për ndërtimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të zeza në Tiranë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka sugjeruar më herët qeverisë shqiptare që të gjejë rrugën e mirëkuptimit me dy kompanitë, pasi, me shumë gjasë, Shqipëria do të humbasë këtë çështje në Arbitrazh.
Nga OraNews