FBI-ja e CIA-ja thonë se TikTok-u po kërcënon SHBA-në
10 Mars 2023
Drejtorët e CIA-s, FBI-së dhe inteligjencës kombëtare ka folur të enjten me Komitetin e Inteligjencës së Senatit për kërcënimet e sigurisë kombëtare.
Ata kanë folur ndër të tjera edhe për kërcënimet që i vijnë SHBA-së nga platforma kineze e videove të shkurtra “TikTok”.
Drejtuesit e spiunazhit u thanë gjithashtu senatorëve se ekstremistët me motive racore përbëjnë një kërcënim vdekjeprurës për amerikanët.
Institucionet në disa vende të botës, përfshirë SHBA-në e kanë ndaluar së fundmi përdorimin e TikTok-ut.
Kanadaja ka vendosur javën e kaluar ta ndalojë aplikacionin TikTok nga të gjitha pajisjet qeveritare.
“Vendimi pason një rishikim nga shefi i informacionit të Kanadasë, dhe aplikacioni paraqet një nivel të papranueshëm rreziku për privatësinë dhe sigurinë”, tha një zëdhënës i Qeverisë në një deklaratë, raportoi BBC-ja.
TikTok-u është kritikuar për përdorimin e informacionit personal dhe lidhjet me qeverinë kineze.
Aplikacioni i videove të shkurtra është në pronësi të firmës kineze ByteDance Ltd.
Punonjësve federalë amerikanë iu ndalua përdorimi i TikTok-ut në fund të vitit të kaluar dhe Shtëpia e Bardhë u dha afat agjencive qeveritare 30 ditë për të pastruar aplikacionin nga sistemet e tyre.
Një numër universitetesh amerikane e kanë ndaluar po ashtu përdorimin e aplikacionit në rrjetet e tyre. Ndalime më të gjera publike janë zbatuar në Indi dhe disa vende të tjera aziatike.
Kompania këmbëngul që zyrtarët e qeverisë kineze nuk kanë akses në të dhënat e përdoruesve dhe se një version kinez i aplikacionit është i ndarë nga ai i përdorur në pjesën tjetër të botës. Por vitin e kaluar, kompania pranoi se disa staf në Kinë mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve evropianë.