Festimet ne Tirane,16 të lënduar nga piroteknikët dhe një i plagosur nga plumbi
1 Janar 2025
Gjatë festimeve të natës së ndërrimit të viteve, në Tiranë, janë raportuar raste të dëmtimit nga përdorimi i lëndëve piroteknike dhe një tjetër rast i dëmtimit nga plumbi. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, 16 shtetas kanë kërkuar mjekim pas ekspozimit ndaj lëndëve piroteknike. Pas marrjes së kujdesit mjekësor, ata janë larguar për në banesat e tyre.
Përveç këtyre, një shtetas tjetër, i identifikuar si K.R., 20 vjeç, është dëmtuar lehtë në këmbë. Ai ka raportuar se dëmtimi ka ndodhur nga një plumb që dyshohet të ketë rënë lirisht në oborrin e banesës së tij, e cila ndodhet në rrugën “Selaudin Zorba”. Pas mjekimit të parë, ai është shtruar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Tiranës ka nisur hetimet për këto ngjarje dhe ka apeluar për kujdes më të madh gjatë përdorimit të lëndëve piroteknike, të cilat mund të shkaktojnë lëndime serioze. Ajo ka bërë thirrje që qytetarët të tregojnë përgjegjshmëri dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë personale dhe të të tjerëve.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë Gjatë festimeve të natës së ndërrimeve së viteve, janë paraqitur në spital për mjekim dyshohet të dëmtuar nga lëndët piroteknike 16 shtetas, ndërsa shtetasi K.R, 20 vjeç, është dëmtuar lehtë në këmbë në oborrin e banesës,në rrugën “Selaudin Zorba” dyshohet nga rënia e lirë e një plumbi. Të lënduarit nga lëndët piroteknike pas marrjes së mjekimit janë larguar për në banesë.
Nga: Gazeta Sot