Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, në muajin shtator
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, në muajin shtator
25 SHKURT 2020
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, manifestimi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë shpirtërore, do të zhvillohet në muajin shtator 2020, në kalanë e Gjirokastrës. Ministria e Kulturës njofton se pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 vendi u përball me një situatë të jashtëzakonshme, ku primare ishte akomodimi i menjëhershëm 17 mijë banorëve dhe hartimi i projekteve të rindërtimit. Në këtë situatë ministria bën me dije se u vendos që festivali të organizohet në muajin shtator. Në lidhje me festivalin që do të zhvillohet gjatë muajit shtator të këtij viti, Ministria e Kulturës shprehet më tej se po merren masat për të qenë një aktivitet dinjitoz për vlerat e trashëgimisë sonë. “Ministria e Kulturës ka marrë të gjitha masat për të siguruar financat e nevojshme, për organizimin e një festivali dinjitoz, ku të mund të parakalojnë vlerat më të spikatura të trashëgimisë sonë jomateriale, në një stoli, siç është qyteti i Gjirokastrës, “Pasuri kulturore e njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s”, shprehet ministria. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës zhvillohet çdo pesë vjet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, qendrën historike dhe ambientet e tjera të këtij qyteti. Festivali u zhvillua së pari në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare, në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet etj.), të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar, të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale, që ndodhen në qytetin dhe Qarkun e Gjirokastrës. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës (FFKGJ) synon gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit të Gjirokastrës dhe zonave rreth tij në veçanti.
Gazeta Sot