Filmi Shqiptar – Mos provo të kuptosh pse ndodhi kështu se sëmuresh mendërisht dhe s’ka çmendinë që të shëron. –

Nga:  Edison Ypi.

Ku e vetmja dashuri ishte imagjinata, e vetmja dashnore ishte dora, i vetmi kamjon ishte ZIS-i, e vetmja veturë ishte GAZ-i, i vetmi vend gatimi ishte banja, e vetmja këpucë që nuk fuste ujë ishte çizmja e ushtarit, të vetmet vegla pune ishin kazma dhe lopata, i vetmi ushqim ishte patatja, për pasojë, e vetmja dëshirë ishte të ikje “jashtë shtetit”.
Në këtë lloj ferri, çfarë thoshin se “prodhonin”, ishin të gjitha rrena.
Shqipëria diktatoriale prodhoi vetëm 1 gjë. Atë më të urryerën, më brutalen, më të turpshmen. Atë që i thuri lavde spiunllëkut, internimeve, burgjeve, vrasjeve, skllavërimit, bindjes së verbër dhe të gjitha veseve më të ndyra; makabritetin estetik më kriminal që ka parë bota, zezonën e quajtur film shqiptar.


Filmi shqiptar ishte një shiringë nga ato të ndërzimit artificial të lopëve që disa shqiptarë bastardë ua ngulën në kokë shqiptarëve normalë me dhjetra vite derisa ja thithën trurin dhe në vend të trurit i futën zhavorrin.
Filmi shqiptar ishte një pirun me tre dhëmbë; sqepar i përgjakur i quajtur “regjizor i madh”, brisk rroje i ndryshkur i cilësuar “aktor gjenial”, trupjerdhur që mbahej për “skenarist i talentuar”.
Këta tre monstra ishin ata që nën mbikqyrjen e rreptë të kurvit, denatyruan shqiptarin.
Filmi shqiptar është ajo dukuri shkatërruese gjoja edukative që i bëri shumicën e shqiptarëve të mos bëjnë asnjë dallim mes propagandës dhe Artit.


Filmi shqiptar ishte një byrek i helmatisur propagandistik të cilin shqiptarët pasi e hëngrën mezi pritën tu vinte rasti ti hipnin ndonjë anieje ta villnin në fund të botës.
Filmi shqiptar është një kokteil i kakës së mëngjezit me shurrën e mbrëmjes, që po ta pish disa vjet rresht, bëhesh “njeri i ri”.
Filmi shqiptar ishte lugati që ja arriti që femrat më të bukura të cilësoheshin burrnesha.
Filmi shqiptar është një kazan plehrash plot me coftina, limona të shtrydhur, mollë të kalbura, bilbila të ndryshkur, gajde të çara, lahuta të çakorduara, çizme të grisura, stomaqe bosh, sy të çakërrdisur, veshë të zënë, tru të atrofizuar, gjëndra kanceroze, lëkura me ekzema, kocka të deformuara, gjarpërinj të ngordhur, lepuj të zgjebosur, kufoma të kalbura.
Filmi shqiptar është një kakofoni me tekst katastrofik që ka lënë në mendjet e shqiptarëve batutat më të shpëlara, më të neveritshme. Mos provo të kuptosh pse ndodhi kështu se sëmuresh mendërisht dhe s’ka çmendinë që të shëron.
Filmi shqiptar është dhe do mbetet e vetmja këllirë kinematografike e historisë së botës i bërë nga aktorë e regjizorë “kollosë” e “korifej”.
Filmi shqiptar është një arkivol që e paraqesin si djep, i kanë vënë rrota të lëvizi dhe krahë të fluturojë.
Filmi shqiptar është këshilltari më i vyer për të bindur të mos zësh kurrë libër me dorë.
Filmi shqiptar është instruktori më i mirë për të mësuar si ta kalosh jetën në kafene.
Filmi shqiptar është mjeti më efikas për ta mbajtur oqeanin e budallenjve trushpëlarë të bashkuar rreth së kaluarës kriminale.
Dy lloj shqiptarësh janë apologjetët e fantazmës së përgjakur të quajtur film shqiptar.
Të parët janë autorët, aktorët, regjizorët, që ndoshta e dinë kush është Orson Welles, Stanley Kubrick, Akira Kurosawa, por nuk duan tu ikin për dhjamë qeni dhjetra vite zvarritje te WC-ja “Shqipëria e Re” ku për hesap të kurvit eksperimentuan monstruozitetet propagandistike ardhur nga stepat dhe gulagët.
Të dytët, viktimat e të parëve, janë mizëria e atyre që me Artin, stilin, frymëzimin, talentin, energjinë kreative, nuk i lidh asgjë, dhe si pasojë s’kanë asnjë haber kush janë e çfarë kanë bërë, për shembull, Pedro Almodovar, Woody Allen, Roman Polanski, Luis Bunuel, etj.


Filmi shqiptar është një vampir kinematografik që mund ta shohësh pa pasoja për shëndetin mendor vetëm ulur në rradhën zero, karrikja infinit.