Finlanda ia kthen Rusisë veprat e konfiskuara, Franca vazhdon t’i mbajë
Finlanda ia kthen Rusisë veprat e konfiskuara, Franca vazhdon t’i mbajë
13 prill 2022
Punëtorët në Muzeun e Shën Petersburgut hapin kutitë me vepra që kanë arritur nga Italia, ku ishin ekspozuar në dy ekspozita
Finlanda do t’ia kthejë Rusisë tri ngarkesa me vepra arti, të cilat kanë qenë të konfiskuara nga zyra doganore, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Finlandës.
Pikturat dhe skulpturat – me vlerë prej 46 milionë dollarësh – ishin rrugës, nga Italia dhe Japonia, për në muzeun rus kur u sekuestruan në kufirin e Vaalimaas me dyshimin për mosrespektim të sanksioneve evropiane ndaj Rusisë, citohet të ketë thënë drejtori i Doganave, Hannu Sinkkonen.
Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës ka thënë se Bashkimi Evropian ndryshoi rregullat ekzistuese për të përjashtuar disa artefakte kulturore nga lista e sanksioneve. Ndryshimet legjislative hynë në fuqi më 9 prill, pas së cilës zyrtarët doganorë dhanë lejen për eksportin e veprave të artit. Ndryshimi i rregullit u bë vetëm për “mallrat kulturore që janë huazuar në kuadër të bashkëpunimit formal kulturor”, thuhet në deklaratë, pa elaborim të mëtutjeshëm mbi motivimin për përjashtim.
Shumë nga veprat e konfiskuara ishin huazuar nga Galeria Shtetërore Tretyakov e Rusisë dhe Muzeu Shtetëror i Artit Oriental, për ekspozim në dy galeri italiane, Sheshin Scala të Milanos dhe Muzeun e Arteve Moderne dhe Bashkëkohore në Udinë. Veprat e tjera të artit u kthyen në muzeun shtetëror të arteve të bukura “Pushkin” të Moskës nga Muzeu i qytetit Chiba në Tokio.
Pas invazionit të Ukrainës, Rusia është goditur me sanksione të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria e Jashtme e Finlandës ka njoftuar se lista e sanksioneve të Bashkimit Evropian përfshinte artin, i cili ka qenë i karakterizuar si “mall luksoz”.
Sanksionet ndërlikuan përpjekjet e Rusisë për të tërhequr pronën e saj kulturore, aktualisht të huazuar tek institucionet evropiane, në mes të përkeqësimit të shpejtë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në mars, Muzeu Shtetëror i Hermitazhit në Shën Petersburg, Rusi, kërkoi që disa huazime veprash të profileve të larta të tërhiqen herët nga ekspozimi në Milano dhe Romë. Ndërkohë, qeveritë e Spanjës, Austrisë dhe Francës i kanë pezulluar marrëdhëniet me muzetë rusë dhe i kanë tërhequr disa prej veprave të njohura nga një ekspozitë e planifikuar në Muzeun e Kremlinit.
Ministrja e Kulturës e Francës, Roselyne Bachelot, ka thënë në një deklaratë se pjesëmarrja e vendit në ngjarjet kulturore ruse “mund të ishte shfrytëzuar si shenjë e një divergjence midis vendeve të Evropës”, ka raportuar gazeta “Le Monde”
Agjencia qeveritare franceze njoftoi të shtunën se më së paku dy piktura të ekspozuara në fondacionin “Louis Vuitton” në Paris, në një ekspozitë të suksesshme të veprave të Ivan Morozov, një biznesmen rus i ndjerë dhe koleksionist i artit avangard francez, do të mbeten në Francë.
nga veprat i përket oligarkut rus Petr Aven dhe pjesa tjetër është pronë e Muzeut të Artit Dnipropetrovsk në Dnipro, Ukrainë, raporton AFP-ja. Aven, një financier me lidhje të njohura me Putinin, është aktualisht objektiv i sanksioneve. Pikturat e tij nuk do të kthehen në Rusi, “për aq sa pronari i tyre do të vazhdojë të jetë në shënjestër për ngrirje të aseteve”, ka thëne Ministria në një deklaratë.
Deklarata vazhdoi se piktura e dytë, nga artisti rus Valentin Serov, nuk do të kthehet në Ukrainë “derisa situata në vend të lejojë kthimin e saj të sigurt”. Ai ka theksuar se ky vendim ishte “me kërkesë të autoriteteve ukrainase”.
Ekspozita Morosov u mbyll në prill. Shumica e veprave të ekspozitës – rreth 200 piktura – u takojnë koleksioneve të Galerisë Shtetërore Tretyakov, Muzeut Shtetëror të Arteve të Bukura Pushkin dhe Hermitazhit të Shën Petersburgut.
Bartja e koleksionit do të bëhet nëpërmjet rrugëve tokësore për t’iu përshtatur kufizimeve në udhëtimet ajrore midis Evropës Perëndimore dhe Rusisë.
Përktheu: Mirjetë Sadiku
Gazeta Koha.net, Prishtine