Fitorja e Joe Biden, Lubonja: Lehtësim dhe kthim në normalitet! Mandati i dytë për Trump do ishte rrezik i madh
7 nentor 2020
Analisti Fatos Lubonja në një lidhje live për News24 ka komentuar zgjedhjet në SHBA dhe fitoren së fundmi të Biden.
Lubonja thotë se lajmin për triumfin e Biden e ka pritur me lehtësim dhe e cilëson një kthim në normalitet.
Sipas tij një mandat i dytë për Trump do ishte shumë i rrezikshëm, pasi do të rrezikonte rëndë demokracinë, institucionet apo dhe botën me politikat e tij.
”Shkurt do thoja që , kemi të bëjmë me një kthim në noramlitet. Domethënë, unë personalisht e kam pritur me lehtësim. Një fitore tjetër e Trump e kam parë si rrezik më të madh edhe për botën me politikat e tij shumë kontroverse, polarizuese, të njëanshme, edhe për demokracinë me prirjen e tij për të kontrolluar institucionet, për mos lejuar ato që janë vlera e Amerikës.
Amerikanët kur u ndanë nga Britania nuk donin të qeveriseshin nga një mbret, por nga një president. Ka qenë një luftë e madhe për ta konsoliduar këtë sistem në mënyrë që çdo 4 vite të ketë zgjedhje të lira, pas 8 vitesh të ikë Presidenti.
Ky e turbulloi keq sistemin që ka defektet e veta. Janë krijuar dhe premisat për zgjatje të mandatit të President.
Trump ishte kërcënim për institucionet demokratike, i personalizoi shumë, tentoi t’i kontrollojë. Në këtë kuptim është kthim në normalitet.”- tha Lubonja.
Gazeta Panorama