Nga Lutfi Dervishi 
 24/07/2022

Pritej me shumë kërshëri fjalimi i parë publik i Presidentit aq më tepër që për nga natyra zoti Begaj ka qenë i heshtur dhe nuk ka preferuar të komunikojë me median!

Për të gjykuar një fjalim, aq më tepër fjalimin e parë të kryetarit të shtetit të mbajtur në Parlament duhen nënvizuar ato që nuk u thanë.

Nuk është vendi dhe rasti për të analizuar stilin, apo tonin me të cilin u mbajt fjalimi. Por në fjalimin e pare të bëjnë përshtypje mungesat e shumta:

Asnjë fjalë për Parlamentin, rolin e tij ligjvënës dhe kontrollues të institucioneve.
Asnjë fjlaë për kompetencat e veta.
Asnjë fjalë politikën e jashtme.
Asnjë fjaë për Kosovën! Nëse Presidenti në largim e kaloi ditën e fundit në detyrë në Kosovë, Presidenti Bajram Begaj nuk e përmendi Kosovën në fjalimin e parë!
Asnjë fjalë për diasporën shqiptare!
Problemet, sfidat dhe arritjet që ka vendi sit nuk janë abstrakte, por shumë konkrete.

Boshatisja e vendit është plagë e hapur. Asnjë fjalë për largimin nga vendi. Asnjë fjalë për largimin në masë të mjekëve dhe infermierëve ndonëse është vetë mjek në profesion!

Korrupsioni dhe kapja e shteti janë elefanti në dhomë. Dhe ky fenomen nuk përjashton deputetët – ndëshkimi para se të vijë nga drejtësia vjen nga kutia e votimit dhe Shqiperia e 2022 ende nuk po realizon zgjedhje pa probleme dhe të pakontestuara!

Vendi ka hapur zyrtarisht negociatat me BE-në, por maratona e 33 kapitujve nuk do të jetë e lehtë! Kjo maratonë transformuese nuk është vetëm për qeverinë dhe opozitën, por për gjithë shoqërinë, për institucionet dhe shoqërinë civile, për median dhe çdo qytetar të këtij vendi. Është një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin dhe meritonte mesazh të qartë për këdo!

Sfidat e politikës asnjëherë nuk kanë qenë të lehta! Reforma zgjedhore, (me ligj është sanksionuar edhe vota e emigrantëve) reforma territoriale janë në tryezë. Suksesin nga dështimi i ndan vetëm një vijë e hollë! Do t’i zgjidhim krizat e radhës me gjyqtar ambasadorët apo gjyqtari vendas do të jetë në lartësinë e detyrës?!

Të bën përshtypje që me konkret ishin urimet e para që mori Presidenti, sesa fjalimi i tij i parë në Parlament.
Një fjalim për njerëzit, për komunitetet për çështjet e mprehta që po kalon vendi, një fjalim që vë gishtin në plagë, por dhe që jep shpresë se e nesërmja do të jetë më e mire- mungoi!

Duke perifrazuar një thënie të vjetër: anija e mbytur pa dale nga porti!

Ndoshta duhet pranuar që nuk zhgënjeu pritshmëritë!

P.S Fjalimi dytë në Presidencë kishte më shumë brendi se i pari, por fjalimi dytë më shumë nxorri në pah boshllëkun e të parit! Boshllëk që gjithkush uron të mbushet në çdo ditë të mandatit me veprimtarinë e institucionale e cila i ka të gjitha mundësitë të përgënjeshtrojë dobësinë dhe mungesat e fjalimeve, sidomos të fjalimit inagurues.

© SYRI.net