Fjalimi i Ramës, komenti i Abilekaj: – Është një aventurier në pushtet
13 Tetor 2023
Për analistin Enton Abilekajn, Edi Rama është më shumë një aventurier në pushtet se sa një vizionar.
Abilekaj u shpreh se ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve të Edi Ramës, tregojnë pikërisht faktin se, ai është një pelivan i pushtetit.
“Fjalimi kryeministrit, që vjen një herë në muaj apo dy muaj, dhe e ka fjalimin nga 1 orë e gjysmë. Fjalimi i tij, ishte për të shpjeguar se pse ky ka një qëndrim komplet të ndryshëm, të kundërt. Pse ky është më afër Vuçiçit dhe më larg shqiptarëve për Kosovën. Çfarë e shtyn këtë.
I vetmi argument që tha Rama ishte se, kështu do komuniteti ndërkombëtar. Pra ky është ai që flet me ta dhe po na sjell zgjidhjen se kështu do komuniteti ndërkombëtar. Pasi është përpjekur për 10 vite të dalë si trashëgimtar i UÇK-së, sot na del si trashëgimtar i Rugovës. Tani duhet të na shpjegojë a beson tek rruga e Rugovës, donte të arrinte në një marrëdhënie hibride me perëndimin apo në variantin e UÇK-së që edhe kundër thirrjeve të perëndimit, edhe kur perëndimi i quajti terroristë dhe pastaj e detyruan perëndimin që të çlironte Kosovën.
Ai duhet të na tregojë se ku beson ky. Serbia duhet ta bëjë hetimin për ngjarjen e 24 shtatorit, apo beson tek rezoluta që duhet të bëhet hetim ndërkombëtar. Se në rezolutën që ky ka sjellë në parlament me opozitën e vërtetë, thuhet që hetimi duhet të jetë ndërkombëtar. Çfarë e detyroi këtë të ndryshojë besim, dhe këtë duhet ta japë kryeministri.
Pse doli prap ky dhe ndryshoi qëndrim. Çfarë garancie kemi ne që kemi një kryeministër i cili ka një strategji për çështjen e Kosovës, kur ky ndryshon qëndrim brenda orës dhe ky nuk është shembulli i fundit. Ballkani i Hapur është ndryshim i një njeri që mendon se ka njeh strategji që në fakt nuk e ka. Shkëmbimi i territoreve me Serbinë është një tjetër tregues që ia ka ndryshuar qëndrim pa dhënë shpjegim akoma.
Kemi të bëjmë me një strateg, me një vizionar që nuk e kupton hapësira shqiptare, apo kemi të bëjmë me një aventurier që bën pelivanin e pushtetit që kërkon të konsolidojë binomin e stabiliokracisë me Vuçiçin që të rrinë në pushtet, duke i garantuar edhe atij partneri qëndrim të përjetshëm në pushtet.
Këto ndryshime qëndrimesh tregojnë se ky është vetëm pelivani i pushtetit”, u shpreh Abilekaj.
Gazeta Sot