“Fjalimi i tij, thikë pas shpine për vëllain tonë Kosovën”- Bardhi e thumbon Ramën: – E lanë nervat dhe braktisi sallën! – Të miratohet rezoluta për dënimin e gjenocidit serb
20 Dhjetor 2024
Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë, e ka konsideruar fjalimin e kryeministrit Edi Rama si një thikë mbas shpine për Kosovën.
Gazment Bardhi u shpreh se Edi Rama, këshillat e tij duhet t’ia thoshte privatisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe jo në publik.
“E lanë nervat dhe braktisi sallën”, u shpreh kreu i Grupit të PD-së, pasi kryeminsitri Rama u largua nga Kuvendi për pak minuta, për t’u rikthyer sërish.
“Nuk kam ndërmend të prish traditën e shqiptarit për ta kthyer këtë mbledhje të sotme të dy Kuvendeve në një transformim të luftës sonë të brendshme në Shqipëri. Mund të flisja shumë për çfarë ka ndodhur në këto 10 vite në Shqipëri, se si janë marrëdhënies mes dy vëllezërve Kosovës dhe Shqipërisë gjatë këtyre viteve të fundit. Por s’kam ndërmend ta kthejë në një fushatë elektorale, apo të përdor Kosovën për fushatë elektorale, nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do ta bëjmë.
Por një mesazh referuar nga fjala e kryeministri që na fakt e lanë nervat dhe braktisi sallën foli sot përpara deputetëve.
Ne shqiptarët kemi një traditë vëllait nuk ia themi kurrë këshillën në publik, në lagje, vëllait këshillit ia themi në shtëpi me zë të ulët që të mos e dëgjojnë të tjerët. E kundërta e kësaj një këshillë edhe kur është e drejtë e thënë në publik, e lëndon vëllain, e dobëson pozitën e tij në arenën ndërkombëtare, dhe sigurisht është një thikë pas shpine për vëllain tonë Kosovën”, tha Bardhi.
Ai shtoi se duhet të miratohet rezoluta për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.