Fleckenstein: Fola me Kryeministrin për Lleshin, do flas dhe me Presidentin. –
Fleckenstein: Fola me Kryeministrin për Lleshin, do flas dhe me Presidentin. –
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein i cili gjendet në Shqipëri për forumin e konektivitetit të Ballkanit Perëndimor, është pyetur nga mediat për çështjen “Lleshi”.
Fleckenstein tha se kishte folur me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Ministrit të Brendshëm të pa dekretuar nga Presidenti. Ai tha gjithashtu se përpara se të japë mendimin e tij për këtë çështje, do të presë të flasë dhe me presidentin Meta.
“Pata mundësinë të flisja me Kryeministrin dhe shpresoj të kem mundësinë të flas edhe me të tjerët dhe pastaj mbase do të kem një mendim për këtë.”
Fleckenstein u shpreh se Bashkimi Europian po ndjek me vëmendje zbatimin e reformës në drejtësi, edhe pse do të kishin dashur të përparonte me shpejt.
Ndërsa për të treguar se vendi është gati për negociatat, Fleckenstein tha se duhet miratuar ligji elektoral.
“Shpresoj shumë që politikanët të gjejnë gjuhën e përbashkët për ligjin elektoral për t’i treguar Bashkimit Europian që ky vend është i përgatitur, por do përqendrohemi së pari në reformën në drejtësi, sepse prioritetet e tjera mund të nisin paralelisht nëse ekziston një gjyqësor i pavarur.”
Në forumin e konektivitetit, Fleckenstein kërkoi që liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhen bashkë për të rrëzuar barrierat në mënyrë që integrimi i plotë në Bashkimin Europian i këtyre vendeve të përshpejtohet.
l.h/ dita