Flet i verteti Edison Ypi: -Ti që ikën nga Shqipëria je një copë budalla, një … ..
26 Gusht 2022
Nga Edison Ypi
Shqipëria është plot me shenjtëri manastiresh, magji’ kishash, legjenda shenjtorësh, shpella heremitësh. Ti që ikën dhe s’ke frikë se mallkimi i tyre do të ndjeki në fund të Botës, s’je shqiptar. Je kopil turku.
Nëpër katundet shqiptare ka njerëz të urtë që kanë zgjedhur të bëjnë jetët e tyre modeste në qetësi. Mbjellin, korrin, mbarsin gratë, rritin çiliminjtë, falen në Kishë, në Xhami. Ti që ikën dhe jetën e përkorë të shqiptarëve shembullorë e përbuz, me siguri je nip greku.
Nëpër krahinat tona jetojnë dijetarë të veçuar që të mahnisin duke ta rrëfyer historinë fijepërpe. Jo si e tregojnë historianët burokratë, por si ka ardhur gojë më gojë nga lashtësia. Ti që ikën me të drejtë nuk beson se në Shqipëri ka dijetarë të heshtur. Sepse je stërlëng serbi.
Shqipëria ka peisazhe të magjishme që ja kanë ndezur shpirtin dhe trurin Bogdanit, Naimit, Nolit, Fishtës, Lasgushit, Kadaresë. Ti që ikën, atje ku vete, dridhesh e strukesh 24 orë me makthin e mbijetesës. Dhe nuk e di, e as kurrë nuk do ta dish, ku bie shpirti që merr zjarr, aq më pak cilët janë Ata që ndizen e digjen si qiriu.
Shqipëria ka Relieve danteske, dushknaja shekspiriane ku në muzg dalin magjistrica, zabele si ai ku mbeti i vdekur në duel Pushkini, që kur i sheh të mbushen sytë me lotë. Por ti që ikën, nga Bukuria e lotëve dhe lotët e Bukurisë s’ke asnjë haber.
Ti që ikën ndoshta ke dëgjuar për piramidën e Keopsit, që ka këto e ato të fshehta gjeometrike, matematike, inxhinierike, mahnitëse lidhur me pozicionet ndaj Diellit, hënës, yjve, yllësive. Ti që ikën nuk e di se Kishën e katundit tënd, apo Manastirin diku aty rrotull, nuk e kanë bërë budallenj si ty që ikin, por inxhinierë, matematicienë, astronomë, piktorë, të gjithë shqiptarë, nga më të mëdhenjtë e botës, përmes kalkulimesh mahnitëse gjeometrike, historike, artistike, edhe më të sofistikuara se piramidat e Egjiptit, apo tempujt e lashtë budistë.
Ka ca vjet në fshatrat tona mbajnë dhi’. Kopetë e dhive zënë rrugën duke kaluar tërthor. I them çobanit: Hej, mos u ngut, leri të ikin, me rregull, Ladies first. Kopeja e dhive e kuptojnë çfarë i them çobanit, dhe hap rrugën. Kopeja jote dhe e shokëve të tu që ikni drejt territ, s’keni tru as sa një dhi’.
Ka ca lugina dhe ca pllaja nëpër Shqipëri, ku aromën e mollëve, dardhave, kumbullave, rrushit, qershive, manaferrave, i nakatos era dhe bën parfumin më marramendës që se bën dot asnjë laborator, asnjë kimi, asnjë industri. Ti rrënjëshkuluri i pandjeshëm me shqisa të mangëta që ikën, nuk ke asnjë ide mbi atë parfum, ku ndodhen ato lugina e ato pllaja.
Të huajt që vinë prejnga ti ikën, shkallojnë nga trutë e kokës për ushqimet tona bio. Ti që ikën, s’bën asnjë dallim bio e stërbio. Ti që ikën do vetëm të ngopesh me produkte sa më të lira supermarketesh me mish si kashtë, kos si llastik, fruta të pjekura nëpër magazina.
Ti që ikën edhe pa pasur asnjë difekt karakterial apo ndonjë problem tjetër, vetëm pse ikën, atje ku do shkosh do jesh një qytetar i dorës së dytë, një puthador, një hyzmeqar, prej të cilit, disa vjet rrjesht, askush nuk do presi ndonjë gjë tjetër përveç larjes së pjatave dhe pastrimit të haleve.
Ti që ikën, meqëse e konstaton shpejt sa e vështirë është të zësh rrënjë, nga inati, atje ku shkon, bën gjënë më të ligë mbi dhe’, shan Shqipërinë. Kësisoj je më i zi se serbi, më dinak se greku, më halldup se turku, je çun oficeri.
Ti që ikën dhe atje ku shkon, me kokën këndej, llap për politikë me gjuhën e Zërit të Popullit. Domethënë je një klysh kurvi që duhet me ta zhyt kokën te kazani i vajit të valuar ku lan pjatat e zbrazura për hesap të dikujt që të shfrytëzon si qënie e ulët, si bastard.
Ti që ikën, dhe atje ku shkon bërtet e çirresh se nuk duhet të presim afganë, je një zemërgur dhe shpirtkatran që s’e ke shokun në dynja.
Ti që ikën me idenë të kthehesh kur Shqipërinë ta kenë ndrequr ata që nuk ikin, je një lapsus i Natyrës, një skarcitet biologjik.
Ti që ikën, dhe nga pasiguria se ku do shkosh e çfarë do bësh, ikjen e lidh me dërrdëllitje jopo kjo qeveri jopoajo qeveri, je thjesht dhe vetëm një ndyrësirë, një pisllëk i paevitueshëm, një ekskrement shoqëror.
Ti që ikën sot, në Diktaturë do ishe një spiun që do spiunoje ata që donin të iknin.
Ti që ikën je një kokërr budallai që thua me vete: Iku Naimi, iku Noli, iku Kadarea, pse të mos iki dhe unë ?! Çka nuk të lë asnjë dyshim se nuk ke ikur nga Puka, as nga Kalaja e Dodës, as nga Përmeti, apo nga Shkodra, Myzeqeja etj. por ke ikur nga ment’ e kokës.
O Edison po kur nuk ka shprese per nje te ardhme cfare do bejme ne shqiperi tju bejme per td qeshur juve servilat e pesit boll me propagande.
Një zë i dalë nga puseta.