Flet prape Ambrozia Meta: -“Qypat” e Kuvendit hetojnë Presidentin, por nuk kërkojnë komision hetimor për emergjencat
Flet prape Ambrozia Meta: -“Qypat” e Kuvendit hetojnë Presidentin, por nuk kërkojnë komision hetimor për emergjencat
Nga Gazeta Telegraf
5 Dhjetor, 2019
Një javë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, bufat u mblodhën sot për të shtyrë me 4 muaj afatin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit. Referuar afateve ligjore, mbledhja duhet të zhvillohej sot sepse kërkesa do t’i paraqitet seances plenare këtë të enjte.
Do të mjaftonin firmat e 35 qypave të Kuvendit për të bërë kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve, pas tërmetit që goditi vendin më 21 shtator.
Në muajin korrik Ministrja e Mbrojtjes shprehej se Shqipëria kishte kapacitetet më të plota në 30 vjet për të përballuar çdo situatë emergjence. Për çfarë kapacitetesh fliste ministrja, kur ekipet speciale shqiptare gërmonin nën rrënoja, me duar e lopata dhe kërkonin matrapik? Çfarë rezervash kishte Shtabi i Emergjencës që i kërkonim oriz dhe batanije, NATO-s? Ku kanë shkuar 1.1 milion dollare që shteti ka dhëne për te stërvitur qentë e specializuar ne një kohë kur qentë tanë mund të nuhasin bërxollat dhe jo njerëzit? Çfarë veprimesh kanë ndërmarrë autoritet vendore dhe çfarë inspektimësh janë bërë pas tërmetit të 21 shtatorit? Banorë pretendojnë se pas goditjes së 21 shtatorit, dëmet në godinat që u shembën totalisht të martën e shkuar, ishin të dukshme. Disa banorë i kanë riparuar dhe lyer vetë shtëpitë, nje pjesë e tyre fatkeqësisht për të vdekur në to. Pse u urdhërua pastrimi i rrënojave dhe shembja totale e godinave para se të nisnin zyrtarisht hetimet? Etj, etj?! Po bufat e opozitës parlamentare shqyejnë sytë dhe gëzojnë se flasin në mikrofon para kamerave. U intereson vetëm ndryshimi i sistemit zgjedhor se kanë shpresë që listat e hapura do ti sjellin sërish në Kuvend. A të mjerë, po ju nuk u votojnë as famijarët tuaj!