“Fluturojnë” çmimet e biletave, për të dalë nga Rinasi duhet të paguash minimalisht 280 euro.-

ÇMIMET E BILETAVE TË AVIONIT

Rinas –  Milano   281 euro                Milano – Rinas  47 euro

Rinas – Berlin     280 euro                Berlin – Rinas    155 euro

Rinas – Londër  500 euro                Londër –Rinas   200 euro

 

Nga: Fjorela Beleshi

Në 15 ditëshin e dytë të muajit gusht, shqiptarët po përballen me çmime të larta për të fluturuar nga Rinasi drejt destinacineve të tjera. Më të prekur nga kjo situatë janë emigrantët që ju duhet të kthehet në shtetet ku jetojnë dhe punojnë, pasi përveç çmimeve të larta të biletave të avionit, duhet të presin me orë të tëra vonesat e kompanive ajrore.

Për të udhëtuar në fundjavë nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas drejt Milanos bileta e avionit vetëm vajtje kushton minimalisht mbi 280 euro, i njëjti çmim është edhe të udhëtosh drejt Berlinit, ndërsa Rinas-Londër udhëtarët duhet të paguajnë 500 euro.

Por ndryshe shfaqet situata në fundjavë, ku për të hyrë në tërritorin shqiptar nga aeroporti i Rinasit çmimet e biletave nga të njëjtat destinacione janë 5-6 herë më të ulëta.

Emigrantët shqiptarë, në 15 ditëshin e dytë të muajit gusht po përballen me çmime shumë të larta për të fluturuar drejt destinacioneve ku jetojnë dhe punojnë, kryesisht në Itali, Greqi, Gjermani apo Angli.

Besnik Vathi, operator turistik: Çmimet janë të larta jo thjesht se është periudhë emigrantësh, por kanë qenë dhe mbeten të larta gjatë gjithë periudhës. 

Operatorët turistikë shprehen se çmimet e larta nuk janë vetëm në periudhën korrik-gusht, por vendin tonë ky fenomen e shoqëron pothuajse në të gjithë vitin duke e krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Besnik Vathi, operator turistik: Faktori i parë është çmimet e shtrenjta të shërbimeve aeroportuale, është çmimi i lartë i karburantit, por edhe taksat.

Por nuk janë vetëm çmimet e larta të biletave të avionit që po shqetësojnë shqiptarët dhe jo vetëm ata që fluturojnë nga Rinasi.

Vonesat e avionëve, me orë të tëra apo edhe me disa ditë, janë kthyer në arsye kryesore për pakënaqësi të qytetarëve.

Besnik Vathi, operator turistikDuhet të ketë një kontroll nga institucionet shtetërore dhe të gjobisin, madje të ndërpresin komapni ajrore që kanë historik tepër të rëndë. 

Operatorët turistikë ju bëjne thirrje udhëtarëve që përballen me këtë fenomen që të kërkojnë të drejtat e tyre për t’u dëmshpërblyer nga kompanitë ajrore.

Besnik Vathi, operator turistik:Të drejtat e pasagjerëve garantohen me ligj dhe ai që ka vonesa duhet të kërkojë dëmshpërblim dhe ndihmë ligjore. 

Në gjashtëmujorin e parë të 2018 sipas INSTAT kanë fluturuar nga Rinasi drejt destinacioneve të tjera rreth 129 mijë shtetas, ndërsa kanë hyrë në territorin shqiptar nga ajri rreth 149 mijë qytetarë.