FMN kundër politikave fiskale: Nuk sollën të ardhura, dëmtuan biznesin. –
FMN kundër politikave fiskale: Nuk sollën të ardhura, dëmtuan biznesin. –
l 3 prill 2019
Fondi Monetar Ndërkombëtar i tërheq vëmendjen qeverisë shqiptare në lidhje me mosrealizimin e të ardhurave.
FMN vlerëson punën e administratës tatimore dhe doganore si çelës për rritjen e fortë ekonomike përgjatë 2018-ës.
“Por, pavarësisht rritjes së të ardhurave në buxhet, ato kanë rezultuar vazhdimisht në mosrealizim buxhetor, duke vendosur presion ndaj administratës tatimore, kryesisht në drejtim të rimbursimit të TVSH-së”- citohet në dokumentin e asistencës teknik për administrimin e të ardhurave të përpiluar nga Fondi, në të cilin thuhet se, “shifrat tregojnë se mbledhja e taksave dhe kontributeve shoqërore është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit”
FMN nënvizon se ulja e pragut të TVSH-së për bizneset solli rritjen e kostos për bizneset e vogla, shtoi ngarkesën për tatimet, por nuk solli të ardhura
Megjithatë notat pozitive, ku në raport vlerësohet rritja ekonomike si rezultat i nismave dhe reformave në të tre komponentët e administratës, njerëzit, proceset dhe teknologjia, FMN nuk është dakord me politikat fiskale të qeverisë.
Ajo nuk është dakord me uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që nisi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar.
Në raport citohet se “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e një zgjerimi të madh të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut të regjistrimit. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo përbënte një rritje prej gati një të tretën në regjistrin e TVSH-së.”
FMN vlerëson në raport se “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e përballoi këtë sfidë në mënyrë profesionale dhe tepër të organizuar. Si rrjedhojë, normat e përmbushjes së deklarimit ishin tepër të larta me 96% të 13 mijë bizneseve që dorëzuan deklaratat e TVSH-së”
Por, nënvizon se “ky zgjerim i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në ngarkesën e punës të DPT- dhe kostot e përmbushjes së deklarimeve për bizneset e vogla – pa sjellë rritje të konsiderueshme të ardhurave”
FMN ka vlerësuar tatimet për kalimin me sukses të 13,000 mikro-bizneseve në sistemin e TVSH-së në vitin 2018. Fondi ka nënvizuar gjithashtu se “menaxhimi i 13,000 mikro-bizneseve në skemën e TVSH-së në vazhdimësi vendos një barrë të shtuar në DPT me kthim të vogël në lidhje me rendimentin e të ardhurave. FMN mendon se sjellë po ashtu kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor”.
FMN është shprehur në raport edhe për vonesat në rimbursimin e TVSH-së ndaj bizneseve. “Problemi i vazhdueshëm i rimbursimeve të vonuara të TVSH-së duhet të adresohet. Kjo është një barrë administrative e panevojshme për administratën – shkaku kryesor i së cilës qëndron në parashikimin e dobët të taksave dhe menaxhimin e parave të qeverisë. Integriteti dhe besueshmëria e sistemit të TVSH mbështetet në kreditimin e ligjshëm të TVSH-së, që janë pagesa që duhen kthyer shpejt. Është shqetësuese që kjo çështje ka dalë sërish në pah, pasi u adresua disa vite më parë“.
b.b/dita