4 Janar 2023

Për pjesën më të madhe të ekonomisë globale, viti 2023 do të jetë një vit i vështirë pasi forcat kryesore të rritjes globale – Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina – përballen me dobësim të aktivitetit ekonomik, tha të dielën drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Viti i ri do të jetë “më i vështirë se viti që lëmë pas,” tha zonja Georgieva në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të televizionit CBS’.

“Pse? Sepse të treja ekonomitë e mëdha – SHBA, BE dhe Kina – po ngadalësohen njëkohësisht,” tha ajo.

Në tetor, FMN e uli parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2023, duke pasqyruar rënien e vazhdueshme nga lufta në Ukrainë, si dhe trysnia e inflacionit dhe normat e larta të interesit të vendosura nga bankat qendrore si ajo e Shteteve të Bashkuara.

Që nga ajo kohë, Kina ka hequr dorë nga politika e saj zero-COVID dhe ka nisur një rihapje kaotike të ekonomisë së saj, megjithëse konsumatorët atje mbeten të kujdesshëm, ndërsa rastet e koronavirusit rriten.

Në komentet e tij të para publike që nga heqja e kufizimeve, Presidenti Xi Jinping bëri thirrje të shtunën në fjalimin e Vitit të Ri për më shumë përpjekje dhe unitet ndërsa Kina hyn në një “fazë të re”.

“Për herë të parë në 40 vjet, rritja e Kinës në 2022 ka të ngjarë të jetë në të njëjtin nivel ose më poshtë rritjes globale,” tha zonja Georgieva.

Për më tepër, një shpërthim i pritshëm i infeksioneve të COVID-it atje në muajt në vijim ka të ngjarë të godasë më tej ekonominë e saj këtë vit dhe të ngadalësojë rritjen rajonale dhe globale, tha zonja Georgieva.

“Për dy muajt e ardhshëm, do të jetë e vështirë për Kinën, dhe ndikimi në rritjen kineze do të jetë negativ, ndikimi në rajon do të jetë negativ, ndikimi në rritjen globale do të jetë negativ,” tha ajo.

Në parashikimin e tetorit, FMN-ja e përcaktoi rritjen e produktit të brendshëm bruto në Kinë për vitin e kaluar në 3.2% – në të njëjtin nivel me parashikimin global të fondit për vitin 2022. Në atë kohë, ajo parashikoi gjithashtu se rritja vjetore në Kinë do të përshpejtohej në vitin 2023 duke shkuar në 4.4%.

Por komentet e saj lënë të kuptohet se në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në Zvicër këtë muaj, FMN-ja do të bëjë një ulje tjetër të parashikimit për rritjen e ekonomisë së Kinës dhe asaj globale.

EKONOMIA E SHTETEVE TË BASHKUARA ‘MË E RIPËRTËRITSHMJA’0

Drejtoresha e FMN-së, Georgieva, tha se ekonomia amerikane mund të shmangë tkurrjen e drejtpërdrejtë që ka të ngjarë të godasë deri në një të tretën e ekonomive të botës.

Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë më të madhe të ripërtëritjes, tha ajo dhe “mund të shmangin recesionin. Ne shohim se tregu i punës atje mbetet mjaft i fortë.”

Por ky fakt në vetvete paraqet një rrezik sepse mund të pengojë përparimin që Banka Qendrore duhet të bëjë për ta ulur inflacionin në SHBA nga niveli më i lartë në katër dekada.

Inflacioni tregoi shenja se kishte kaluar kulmin e tij me përfundimin e vitit 2022, por ai vazhdon të jetë pothuajse sa trefishi i objektivit prej 2%.