Foltorja në Has, Berisha: Ju ftoj në Kuvendin e rithemelimit të PD

1 dhjetor 2021

Rrugës për në Tropojë, lideri historik demokrat, Sali Berisha, u ndal edhe në Has. Në qytetin e Krumës ai u prit me entuziazëm nga qindra demokratë.

Duke improvizuar Foltoren përpara tyre, Berisha tha se Hasi është dhe do jetë gjithmonë demokrat.

“Hasi është dhe mbetet gjithmonë demokrat dhe i pamposhtur, i vendosur të mbrojë vlerat e demokracisë, të mbrojë interesin kombëtar. Askush nuk ka luajtur rolin që ju, Kukësi dhe Tropoja, luajtën gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Bijtë e bijat e Kosovës janë të vendosur t’i dalin zot vendit më shumë se kurrë”.

“Miqtë e mi, ju falënderoj me shumë mirënjohje për këtë mikpritje të zjarrtë, për këtë Foltore kaq të zjarrtë dhe frymëzuese për mbarë shqiptarët,” tha Berisha.

“Kur Beogradi dhe Tirana punonin për shuarjen e PD-së, demokratët në mbarë Shqipërinë, u zgjuan në një lëvizje të fuqishme, lëvizje që kërkon t’i shndërrojë ata, të shndërrojë PD-në në gardiane të interesave tuaja kombëtare dhe familjare,” shtoi Berisha, duke e quajtur Edi Ramën një vasal të Aleksandër Vuçiç.

“Ftoj demokratët e Hasit në Kuvendin e rithemelimit të PD. Të rikthejmë edhe njëherë PD-në në shtëpinë e lirisë, ashtu siç e themeluan ata që ne bashkërisht, në dhjetor të vitit 1990 i quajtëm ‘engjëjt e demokracisë’,” tha Berisha.

Nga: voal.ch