Formulë e re për ndarjen e fondeve për bashkitë në 2025
1 Gusht 2024
Nga viti i ardhshëm, buxheti për bashkitë do të shpërndahet me një formulë të re, ku do të merren në konsideratë të dhënat e reja të popullsisë. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku (plane Fjorela-Mazniku) konfirmoi se megjithëse në 11 qarqe popullsia rezultoi në rënie, bashkitë gjithsesi nuk do të marrin më pak para’.
“Jemi në fazën që fillojnë përgatitjet për buxhetin e vitit të ardhshëm. Tashmë ne duhet, politik-bërësit, ekspertët, qoftë të qeverisë e qoftë të bashkive duhet ta orientojnë buxhetin e tyre bazuar në këto shifra ku treguesi kryesor është popullsia me 80 për qind të peshës”, thotë Agron Haxhimali, ekspert i financave vendore.
Me gjithë formulës e re, transferta e pakushtëzuar që qeveria i jep 61 njësive të pushtetit vendor nuk mund të jetë më pak se 1 për qind e produktit të brendshëm bruto dhe jo më pak se transferta e vitit paraardhës.
“Me gjithë rrudhjen e popullsie, kapitali njerëzor ka nevojë për të njëjtat shërbime. Ndaj është e rëndësishme që kjo praktikë mos të prishet. Përkundrazi, bashkitë kanë nevojë edhe për më tepër para”, thotë Haxhimali.
Në formulën e re të ndarjes së buxhetit që qeveria po diskuton, pritet të përfshihet edhe dhënia e granteve në bazë të performancës së bashkisë. Njësitë e pushtetit vendor do të marrin buxhet në varësi të ecurisë që do të kenë. “Kjo është një mase e nevojshme pasi performanca e bashkive lë për të dëshiruar. Vetëm 1/3 e taksës së pronës mblidhet sot nga bashkitë”, thotë Haxhimali.
Për këtë vit transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave. Për vitin 2025, fondi pritet të kalojë shifrën e 40 miliardë lekëve.
Gazeta Dita