FOTO: “I ngjan Edi Ramës”… Shtatorja e Skënderbeut vendoset në Horën Arbëreshe, shpërthen rrjeti: “Dhelpra në shpatull…”
1 Shtator 2024
Shtatorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut e punuar nga skulptori Gëzim Muriqi është vendosur në qendër të qytetit, Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili të Italisë.
Kjo shtatore, dhuratë e Shoqatës “Hora e Skënderbeut“ nga Cyrihu i Zvicrës u përurua më 30.08. 2024, në Sheshin para Bashkisë së Horës.
Shtatorja është dhuratë nga mërgimtarët shqiptarë për Arbëreshët e Horës në shenjë mirënjohjeje për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqipe, por edhe kontributin që kanë dhënë arbëreshet e Italisë për Kosovën gjatë luftës së fundit (1998/99).
Ndërkohë në rrjet por edhe në disa media kanë shpërthyer debate lidhur me dy elementë të shtatores.
Shumë kritikë, por edhe ndonjë gazetar janë shprehur në rrjete sociale se fytyra e shtatores i përngjet Edi Ramës. Sado absurde të duket ideja, duket se ajo ka zënë vend, nxitur edhe nga një vizitë e Elisa Spiropalit në Horën Arbëreshe dy ditë më parë.
Debati i dytë ka lindur për dhelprën që autori ka vendosur në shpatullën e Skënderbeut.
Megjithëse koka apo lëkura e dhelprës është element i njohur në shtatoret e heronjve të epokës, shumë komentues online shprehen se dhelpra simbolizon “Europën dinake me shqiptarët”.
Nga Gazeta Dita.