Foto Interesante – Funerale me orkestër, tradita shekullore tashmë ka kaluar online
Foto Interesante – Funerale me orkestër, tradita shekullore tashmë ka kaluar online
Ceremonitë funerale janë çështje serioze në Ganë dhe mund të zgjasin deri në 7 ditë, me mijëra pjesëmarrës, të cilët vishen me të zeza dhe mbajnë bizhuteri prej floriri.
Disa familje madje punësojnë edhe vajtues profesionistë, që të qajnë për të dashurit e tyre, sepse “shërben si shpërblim për personin që ka vdekur”, thotë për CNN, Adwoa Yeboah Agyei, pronar i një shtëpie funerale, në Akra, kryeqytetin e Ganës.
Varrimet ganeze kanë rituale me simbolikë të fortë, ku njerëzit bëjnë dhurata për shpirtrat e paraardhësve të tyre dhe kërcejnë zhurmshëm nën tingujt e daulleve, për të shoqëruar të vdekurin në udhëtimin e fundit. Ndërsa arkivolet janë një mundësi për të shfrenuar fantazinë.
Por që kur autoritetet pezulluan grumbullimet me më shumë se 25 veta për të kufizuar përhapjen e koronavirusit, tradita shekullore është ndërprerë. Njerëzit që duhet të organizojnë ceremoninë mortore për të dashurit e tyre tanimë e kanë të vështirë të përzgjedhin vetëm 25 vetë për marrë pjesë.
I tillë është rasti i Obed Ampadu-Asiamah, me të cilin foli CNN, i cili thotë se zakonisht në ceremoni të tilla në familjen e tij marrin pjesë 2000 persona. Por në varrimin e babait, nuk mund ta bënte këtë. “Na u desh të mos ftonim nipat dhe krushqinë”, tregon Obed. “Thërritem vetëm 6 persona nga ana e babait dhe 3 nga ana e nënës”. Edhe shtrëngimi i duarve, një traditë gjithashtu e lashtë, nuk mund të zbatohet më. Ndërsa maskat në fytyrat e pjesëmarrësve e bëjnë edhe më të zymtë atmosferën.
Por një shtëpi funerale në Akra duket se e ka zgjidhur problemin. Edhe pse puna ka rënë, drejtuesit kanë menduar që të ofrojnë shërbime funerale online, ku të afërmit e viktimës mund ta vajtojnë atë nga çdo cep i vendit, ose i botës.
Gazeta Dita