Franc ASHIKU- Piktor.

Huazuar nga GALERI ZETA’

NJE TITULL PER NJE KRIJIMTARI

Franc Ashiku (1925-1998) ka qenë një nga ata pak artistë në vendin tonë që kanë krijuar në fushën e desainit grafik, gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Ai i takon brezit të intelektualëve të përsosur shqipëtarë të cilët kontribuan për vendin e tyre, përkatësisht me kohën kur jetuan, mbi ato urgjenca që prodhonte aktualiteti i tyre, me idealizëm dhe përkushtim të pa parë, për ta bërë këtë vend, një vend si gjithë të tjerët. Por ndër ta, Francit i takoi periudha më e vështirë, ajo e diktaturës komuniste, që më shumë se kudo, në fushën e artit ndërhyri ashpër duke penguar lirinë e krijimit, dhe në shumë raste duke persekutuar artistët. Me ekspozitën e Franc Ashikut, përmes krijimtarisë së tij, do të përpiqemi të nënvizojmë një moment të rëndësishëm të zhvillimit të grafikës në vendin tonë.

Pllakati në atë kohë ka qenë, kuptohet kryekeput, politik dhe në pjesën më të madhe mbështetesh mbi strukturën konceptuale dhe formale të pllakatit sovjetik. Franc Ashiku me shume kujdes mundi të dalë në situata krijuese antikonformiste duke servirur një ritëm e formë kompozicionale jashtë skemave, me një zbërthim sintetik të konceptit apo temës së pllakatit. Krijimtaria e tij pati një ndikim direkt edhe në të tjera aktivitete që bëheshin në atë kohë, si në panaire, në industrinë e tekstilit apo në ekspozita përvjetoresh, ku tregoheshin arritjet dhe fuqia ekonomike e vendit, ku paraqitja e tyre kuptohet bëhej në eksponatet e improvizuara të cilat ishin edhe treguesit e kulturës në fushën e desainit grafik të asaj kohe. Në këto raste ai ka ndërhyrë në krijimin e ambjenteve të ekspozimit duke bërë efekt të madhë tek publiku i asaj kohe me shijen e hollë dhe shkallën e abstragimit, të elementeve simbolike, përmes një grafike për atë kohë mjaft bashkëkohore dhe të një desaini të interierit, mund të themi modern.

Seria e pllakateve të Franc Ashikut të ekspozuara flet qartë për këto cilësi, dhe mendojmë gjithashtu se ato përbëjnë një kuriozitet për ne sot; ato janë histori nga e cila kuptojmë më mirë kohën dhe se si kanë filluar këto eksperienca tek ne, temat që trajtoheshin, llojin e publicitetit, e të tjerë elemente të propogandës politike, ekonomike dhe sociale të asaj kohe. Piktura është një moment tjetër i kësaj ekspozite shumë domethënëse për krijimtarinë e artistit. Historia e artit tonë është e re dhe ka qenë e kushtëzuar nga faktorë të cilët e kanë shoqëruar deri në ditët e sotme, sipas zhvillimeve të historisë së përgjithëshme e cila ka qenë edhe ajo e tensionuar dhe e eger. Në këtë sfond mardhëniesh, janë strukturuar institucione dhe sisteme deri vonë, që në pjesën më të madhe nuk kanë mundur të na drejtojnë si duhet duke shkaktuar vonesa e duke lënë shumë vend vulgaritetit, keqkuptimeve dhe persekutimit.

Në këtë kontekst, piktura e Franc Ashikut është rezultat i traditës së krijuar nga piktura e para ardhësve të tij, Idromeno e Marubi, Kolombi e Rrota, i krejt atmosferës që përcjell figuracioni Shkodran, këtu kam parasysh çdo linjë, formë dhe ngjyrë që përcjellin, që nga arkitektura e qytetit, kostumet, muzika, festat e mënyra e të jetuarit në këtë qytet. por edhe ndikimi që ai pati nga artistët e rinj të asaj kohe, sidomos nga ata të cilët krijonin një atmosferë perëndimore me diskutimet e tyre ndërmjet vedit, si Danish Jukni, Thoma Dhamo, Vilson Kilica, Ksenofon Dilo, Sali Shjaku, e tjer. Mendoj se e gjithë kjo krijimtari ka të bëjë me përmasat e tij si artist dhe intelektual, ka të bëjë me perpjekjen për të komunikuar përmes një dimensioni bashkëkohorë, duke i gjetur referencat përtej provinces, në artin e kultivuar.

Nga: Edi Hila