Frashëri, fshati që i dha emër Shqipërisë, por që ngeli vetë pa emër. – (+album foto).
Frashëri, fshati që i dha emër Shqipërisë, por që ngeli vetë pa emër. – (+album foto).
Nga: Zylyftar Hoxha. –
Kam shkuar disa herë në Frashër, me rast apo pa rast, me sebep apo pa sebep, si i thonë. Megjithëse larg e me një rrugë, më të keqen në Shqipëri, asnjë herë nuk jam lodhur. E kam ndjerë veten mirë, “të mbushur” plot edhe disa ditë më pas.
Teqja e Frasherit.
Se, të vesh në Frashër, është si të vesh në vendin më të shenjtë shqiptar, që, me një gjuhë dhe metaforë shumë të bukur, poeti i madh i atyre anëve, Xhevahir Spahiu e ka quajtur “Meka shqiptare” dhe që është dhe do të mbetet, pa dyshim, në zemrën e shqiptarëve si shpirti i Rilindjes sonë Kombëtare, panteoni më i plotë i diturisë e i ardhmërisë së shqiptarëve, djepi i gjuhës së kulluar shqipe, yll ndriçues dhe guri kryesor i vendosur në themelet e kulturës shqiptare.
Një kupë qiell mes malesh është Frashëri, por që i dha aq shumë dritë dhe dituri Shqipërisë, sa që nuk mund të ketë universitet në botë ta bënte këtë që bëri ai në mendjen e shqiptarëve.
Në një farë mënyre Frashëri ka bërë Shqipërinë, ai është frymëmarrja e Shqipërisë. Sillni pak mendërsisht gjithë atë punë kolosole të tre Vëllezërve Frashëri, Abdylit, si ideolog dhe burrë shteti; Naimit, si poet kombëtar dhe Samiut si filozof, gjithëçka në interes të kombit shqiptar dhe ngjizjes së shtetit shqiptar dhe do të shikoni se sa pak bëjmë ne për ta.
Por Frashëri nuk ka vetëm ata. Këtu, pak në të kaptë, 500 m larg shtëpisë së Frashërllinjve, ke dhe një monument tjetër të historisë sonë kombëtare, po aq të rëndësishme sa shtëpia muze që vizitove pak më parë, po aq me nam të mirë, një shtëpi zoti, që ka bërë ferk (famë) në të gjitha kohërat, sa në anën fetare, religjioze, aq edhe në atë patriotike, teqenë Bektashiane të Frashërit.
Në këtë teqe Baba Alushi, mik i familjes së madhe, mbajti për disa muaj Naim Frashërin pas sëmundjes së rëndë të tuberkulozit, për ta kuruar, por më shumë për t’i qetuar shpirtin e trazuar të poetit të madh.
Teqeja e Frashërit
Ishte po ky Baba Alush që disa vite më vonë bashkë me Abdyl Frashërin e ktheu teqenë në seli e qendër të degës së Lidhjes së Prizrenit për Jugun. Për të edhe sot këndohet kënga: “Kush e do Shqipërinë, kush,/ I miri Baba Alush”. Ndërsa për delegatët që kishin ardhur në këmbë që nga Prizreni, koha ka tretur vargjet e tjerë të një kënge popullore, që kush e di ç’perlë ka qenë, së cilës i kanë mbetur vetëm dy: “Ç’u pruri juve nga juga,/ shtatë ditë u bëri udha…”.
Teqeja e Frashërit si një shkëndijë, ndezi një mal, mësimin e gjuhës shqipe. Qenë baballarët, dervishët, myhibët e kësaj teqeje dhe asaj të Backës që bashkë me patriotë të tjerë ngritën në vitin 1908 shkollat e para në Dangëlli dhe në Skrapar. Nën kujdesin e kësaj teqeje po në 1908, në Koprënckë ngrihet klubi patriotik “Pellazg” dhe zhvillohet një miting i madh ku morën pjesë mbi 1000 veta nga gjithë zona e Jugut, pa përmendur faktin tjetër se teqeja e Frashërit ishte qendra e çetave të luftëtarëve si Çerçis Topulli, Mihal Grameno, Themestokli Gërmenji, Sali Butka e të tjerë.
Por Frashëri ka edhe histori të mëvonshme, veçmas të njerëzve të urtë e të ditur, pinjollëve të derës së Frashërllinjve, Mehdi e Mit’hat Frashëri, të intelektualëve të tjerë shkencëtarë e dijetarë që kjo zonë i ka me shumicë.
Nën Kokojkë aty ku fillojnë bredhat e famshëm është një gur i madh. Thonë se aty vinte dhe rrinte më orë të tëra Naimi, kur erdhi pak kohë në Frashër për të shëruar mushkëritë e sëmura. Tani atij guri i thonë Guri i Naimit. Ndoshta nga ky gur nga ky vend atij i lindën motivet e poemës së gjatë “Bagëti e Bujqësi”. Ndoshta është pikërisht ky gur, për të cilin ai shtoi edhe gjysmën tjetër të vargut 16-rroksh “ma kënda të rrija një copëz herë”!…
Shtëpia e Vëllezërve Frashëri
Duke vështruar nga kjo lartësi Frashërin e tanishëm, të shkretuar, me oborre ku ka harlisur ferra dhe shpëndra, na kujtohet thënia e Sami Frashërit në veprën madhore “Kamus-Ul-Alam”, në vitin 1898 për vendlindjen e tij: “Është vend malor dhe i lartë, pak i frytshëm, por ka burra trima dhe të urtë”…
Ish- kryetari i komunës së Frashërit, kur Frashëri ishte komunë, Tomorr Kotorri, një njeri me kulturë, mik i shumë poetëve e shkrimtarëve, me një shpirt të ndjeshëm, e ka për nder që është bir i kësaj treve dhe kujdestar i shtëpisë muze, shtëpisë së rilindur të rilindësve. Ai ndihmon në zhvillimin me dekor festiv të veprimtarive të përvitshme me karakter kombëtar, ku vinë shkrimtarë, poetë dhe artistë nga e gjithë Shqipëria, por më shumë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe diaspora.
Me mbështetjen e intelektualeve të shquar të mbarë trevave shqiptare, ka organizuar në çdo 25 maj të çdo viti, që i bie të jetë ditëlindja e Poetit tonë Kombëtar, Ditët Naimiane, veprimtari interesante me konferenca shkencore, peligrinazhe, vizita në objektet historikë dhe veprimtari kulturore në Frashër. Këto veprimtari të Tomorrit dhe të shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, ku ai është kryetar, më shumë se anës memuaristike shërbejnë si thirrje për të ruajtur e lartësuar emrin e Frashërit, për sensibilizimin e shqiptarëve, të shtetit dhe kombit, që, me projekte të veçanta, të mbështesin e ndihmojnë fuqishëm Frashërin, që ai të kthehet në një qendër historike, shëndetësore, turistike, muzeale për shqiptarët që jetojnë e punojnë brenda e jashtë Shqipërisë, por edhe për turistët e huaj.
Si zot shtëpie, Tomorri “bëhet copë” këto ditë që miqtë ta ndjejnë veten sa më mirë, të kënaqen, por, mbi të gjitha, të marrin atë për të cilën kanë bërë gjithë atë rrugë deri këtu.
Mos harro se askush në Tiranë nuk e di se ç’bëhet në Frashër, se ç’ bën Tomorri dhe një grup poetësh me në krye të mirënjohurin Xhevahir Spahiu për Ditët Naimiane të Frashërit.
Me keqardhje më duhet ta them se në Përmet, dhe jo vetëm aty, por edhe më sipër, në Tiranë, veprojnë në hije njerëz dhe organizma që zbatojnë urdhrat e qarqeve të caktuara të atyre matan kufirit, ose dhe që u servilosen atyre, që nuk i a duan të mirën Frashërit me atë braktisje totale, vetëm e vetëm për një copëz rrugë; nuk ia duan të mirën Përmetit, kujtoni historinë famëkeqe të “kockave të Kosinës” dhe legjendën e kishës-pallat kulture në qendër të qytetit, që nuk po kthehet në identitet, edhe pse prej vitesh ka një vendim gjykate të formës së prerë; që nuk ia duan të mirën Këlcyrës, me ato varreza dhe memorialë të zymtë dhe të pakuptimtë, pikërisht atje ku nuk duhet të ishin, në vendin më të mrekullueshëm të grykës së saj fantastike; që nuk ia duan të mirën Bënjës dhe banjave termale, por i lënë ato me gurë dhe baltë, në kushtet më primitive, më skandaloze dhe më të turpshme, të cilat, tani, nëpërmjet internetit, i shikon e gjithë bota.
Pse të ketë kaq “probleme” Përmeti, një nga qytetet më të qetë dhe më të civilizuar në Shqipëri?…