1 Shtator 2022

Pas lëvizjeve të fundit  Shtetet e Bashkuara kanë sfiduar edhe një herë Kinën. Tensionet po kapin kulmin pasi amerikanët do të kenë vizitën e pestë brenda një muaji në Tajvan, e dyta nga një guvernator i lartë, ndërkohë që tensionet me Kinën nuk ulen, i cili e konsideron ishullin një “pjesë të patjetërsueshme” të territorit të tij dhe vizitat janë një shkelje e parimit të “një Kinës”. Në fakt, Pekini u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara “të respektojnë parimin e një Kine të vetme dhe të ndalojnë të gjitha shkëmbimet zyrtare me rajonin e Tajvanit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.  I fundit që ka mbërritur në Tajvan është Guvernatori republikan i Arizonës, Doug Ducey, i cili është planifikuar të takohet me presidentin e ishullit, Tsai Ing-Wen dhe ministrin e jashtëm, Joseph Wu. “Partneriteti i fortë i Arizonës me Tajvanin ka vazhduar për dekada,” tha Ducey pas takimit me një grup sipërmarrësish amerikanë. Ducey është guvernatori i dytë që udhëton në Taipei këtë muaj, pas guvernatorit republikan të Indianës, Eric Holcomb. Senatorja republikane Marsha Blackburn ishte në Taipei fundjavën e kaluar në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura. Nga ana tjetër, vizita e delegacionit të kryesuar nga senatori demokrat i Massachusetts Ed Markey daton në mesin e gushtit, pas asaj të kryetares së Dhomës Amerikane, Nancy Pelosi, e cila zgjoi zemërimin e Pekinit, i cili menjëherë më pas nisi manovra ushtarake rreth Tajvanit. Ndërkohë, administrata Biden synon të paraqesë në Kongres një plan për shitjen e armëve në ishull me vlerë 1.1 miliardë dollarë.

Tajvani paralajmëron luftë

Tajvani ka deklaruar se do të ushtrojë të drejtën e tij të vetëmbrojtjes dhe se do të luftojë nëse Kina pushton territorin e saj. Pekini ka rritur aktivitetet ushtarake pranë ishullit kohët e fundit, duke rritur edhe më tepër tensionin mes dy vendeve. Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe ka rritur praninë e saj ushtarake në gusht në përgjigje të vizitës së fundit të Nancy Pelosi në ishull. “Për avionët dhe anijet që pushtojnë hapësirën tonë ajrore dhe ujërat territoriale brenda 12 miljeve detare, ushtria kombëtare do të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes dhe do të hakmerret,” tha Lin Ëen-Huang, zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të vendit. Tajvani ka raportuar praninë e dronëve kinezë që fluturojnë pranë ishujve të vegjël në brigjet kineze.

Në fakt forcat e Armatosura Tajvaneze kanë hapur zjarr të martën kundër dronëve civilë që mendohet se kontrolloheshin nga Kina, menjëherë pasi Presidenti i Tajvanit, Tsai Ing Ëen, bëri thirrje për masa “të forta” përballë këtij lloji të inkursionit. Ministria e Mbrojtjes e ishullit ka konfirmuar në një deklaratë se ka pasur të shtëna kundër të paktën tre dronëve. Edhe pse nuk e ka identifikuar origjinën e tyre, ajo ka shpjeguar se këta avionë janë tërhequr në drejtim të qytetit kinez Xiamen.

SHBA blindon Tajvanin

Sipas një raporti, qeveria amerikane planifikon të mbështesë Tajvanin me armë në vlerë prej rreth 1,1 miliardë dollarë. E përditshmja “Politico”, duke cituar tre persona të brendshëm të paidentifikuar, shkruan se qeveria kërkon nga Kongresi miratimin e një projektligji përkatës. Paketa përfshin 60 raketa kundër anijeve dhe 100 raketa ajër-ajër. Megjithatë, fokusi është në mirëmbajtjen operacionale të sistemeve aktuale ushtarake të Tajvanit dhe përmbushjen e kërkesave ekzistuese dhe jo në zgjerimin e sistemeve të armatimit, sipas gazetës. Një dërgesë e tillë armësh ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet tashmë ekzistuese midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Nga ELMAS BOGDANI

Gazeta Sot