Fshatra te Shqiperise- Lini, fshati i ekstremeve të mëdha. –
Fshatra te Shqiperise-
Lini, fshati i ekstremeve të mëdha
Lini është një nga fshatrat më interesant dhe më piktoresk në Shqipëri. Ai, i vendosur në një kodër të bukur buzë liqenit të Pogradecit, zgjon kuriozitetin e çdo udhëtari apo turisti që udhëton në rrugën Qafë Thanë – Pogradec, e cila kalon fare pranë fshatit. Kjo kërshëri nuk të lë të shkosh më tej pa parë magjinë e këtij fshati, shtëpitë shumë të vockla të ndërtuara buzë ujit dhe të ngritura puqazi me njëra-tjetrën me shpinë nga kodra, me rrugicat e vogla e të ngushta të shtruara me gurë të vegjël, ku vështirë se mund të kalosh me makinë. Oborret e shtëpive deri dhe rrugicat mbulohen me pjergulla. Në pjesën më të madhe të këtyre shtëpive, sidomos natën, dëgjohet llokoçitja e valëve të liqenit, lopatat e varkëtarëve dhe zëri i pulëbardhave.
Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit. Jeta në gadishullin e Linit ka filluar në periudhën e parë të epokës së hekurit dhe ka vazhduar deri në kohën e mesjetës së hershme. Banorët e hershëm thonë se fshati më parë, shumë vjet të shkuara, shtrihej deri në mesin e liqenit, por më vonë u mblodh këtu ku gjendet sot. Ka gojëdhëna të tjera që thonë se dikur gadishulli i Linit ka qenë ishull i rrethuar nga uji. Veç mozaikut sipër në kodër, në jug të Linit, afër buzës ujit, në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite, që dëshmojnë për një vendbanim të tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Që në atë kohë u quajt Lind.
Ky Lind i bukur është një vend i mrekullueshëm pelegrinazhi turistik natyror dhe kulturor. Në Lin ka disa plazhe të këndshëm me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël. Një vend i bukur për piknik është edhe vendi i quajtur “Mulliri i Vjetër”, me burime gurgulluese dhe hije të freskëta pemësh. Këtu ndodhet edhe qendra e rritjes së Koranit, e cila përgatit dhe rrit koranët e vegjël për t’i lëshuar me pas në Liqenin e Ohrit. Gazetari i “The Guardian”, Kevin Rushby, i cili pak kohë më parë ka vizituar Shqipërinë, mahnitet nga Via Egnatia, më pas nga Liqeni i Ohrit dhe në fund nga fshati i vogël Lin. “Shtëpitë janë të stolisura me lule, plakat me të zeza të ulura në hije dhe fëmijët që lozin jashtë me varka. Siç i themi njëri- tjetrit ‘do të ishte mirë të qëndronim në një prej këtyre shtëpive’, një grua e re na mirëpret në anglisht: “Doni të qëndroni në shtëpinë time?’, shkruan Kevin, duke përmendur edhe koranin e famshëm.
Pavarësisht përshtypjeve të të huajve, por është për të ardhur keq, pasi Lini ende jeton “kohën e qepës”. Nuk ka ndryshuar asgjë nga e kaluara e socialiste kooperativës. Toka, tashmë e ndarë, është e mirë, por e pakët për të mbajtur gjithë ato frymë. Blegtoria e katandisur në ndonjë lopë, dele manare apo ndonjë tufë pulash e rosash të buta, shërben sa për të zbutur stresin që krijon papunësia dhe varfëria. I vetmi burim mbetet liqeni, peshkimi, por edhe ky, për shumë shkaqe që s’i kanë në dorë mjeshtrit zotë të famshëm në këto anë të kësaj zeje, është në ditët më të këqija.
Të lënë në harresë për investime banorët e kësaj perle natyrore duhet të përpiqen vetë që ta bëjnë funksional turizmin. Turistët vendas dhe të huaj që kanë dëgjuar dhe mbërrijnë për të shijuar bukuritë e linit janë vetëm ditorë për shkak të mungesave akomoduese e rrjedhimisht edhe të ardhurat nga turizmi për fshatin janë tepër të ulëta, çka nuk i ndihmon banorët e tij në investimet vetjake me impakt në turizëm.
Një rrugë e shkurtër prej më se 2 km që lidh fshatin me magjistralin Tiranë-Korçë, e ndërtuar vitet e fundit, sido me parametra bashkëkohorë, përveç lehtësisë për të shkuar në këtë fshat, nuk solli ndonjë ndryshim tjetër pasi banorët e këtij fshati nuk kishin ndonjë gjë të madhe as për të çuar dhe as për të marrë!
Tani Linit po i vjen një tjetër “e mirë në derë”, është gati në përfundim shëtitorja e famshme j 14 km që lidh Linin me Pogradecin. Gjë e mirë, e përkryer, por që, edhe për këtë banorët e këtij fshati janë skeptikë dhe nuk besojnë se do t’u sjellë ndonjë gjë. Ata duan ndryshime nga brenda, investime infrastrukturore në fshat, pasi vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e kanalizimeve, e grumbullimit të mbeturinave e të tjera. Por ai ka edhe nevoja të tjera për nxitje punësimi, projekte për subvencionimin e peshkimit, për zhvillimin e turizmit etj.
Linit natyra i ka falur bukurinë, kulturën dhe butësinë. Ai do një dorë të ngrohtë, fare të lehtë nga pushteti vendor dhe ai qendror për të gjetur veten, mos ia kursejnë!…
Histori-Arkeologji
Mozaiku i Linit
Jeta në gadishullin e Linit ka filluar në periudhën e parë të epokës së hekurit dhe ka vazhduar deri në kohën e mesjetës së hershme. Gjatë kërkimeve arkeologjike është zbuluar një bazilikë e hershme kristiane me mozaikë të jashtëzakonshëm në dysheme që nga shekulli i 4-5-të i erës sonë. Mozaikët kanë disa figura të bukura si peshq, zogj, etj. Kur ushtarët e Julius Cesarit, mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë sa bërtitën “Lyhnidas” – Liqeni i Dritës. Tani mbas 2000 vjetësh turistët vendas e të huaj vijnë në vendin ku qëndruan ushtarët e Cezarit. Ata vijnë këtu jo vetëm për të parë mozaikët e Linit, por gjithashtu për të vizituar varret monumentale të Selces, të cilët të impresionojnë me madhështinë e tyre.