Këto ditë në bashkinë e vogël verilindore të Fushë-Arrëzit bëri një vizitë pune zv.kryeministrja Senida Mesi, e cila krahas evidentimit të punimeve për rilindjen urbane të qytetit, u fokusua dhe në mundësitë e perspektivës zhvillimore të rajonit. Në takimin e zhvilluar me autoritetet vendore, ajo nënvizoi rolin e kryetarit të bashkisë z.Fran Tuci, në implementimin e projekteve, kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës, si dhe të kapaciteteve lobuese për thithjen e investimeve të reja. Zv.kryeministrja Mesi, u ndal në aspektet e menaxhimit të qeverisjes lokale, duke potencuar adresimin e zgjidhjeve për shërbimet ndaj qytetarëve dhe përmirësimin evident të tyre. Gjatë takimit, që zhvilloi me këshillin bashkiak, u diskutua për reformën në shërbimet publike dhe ecurinë e një sërë proceseve, si pjesë e vendosmërisë së qeverisë shqiptare për të lehtësuar ndjeshëm barrën burokratike mbi qytetarin dhe sipërmarrjen. Nga të pranishmit pati një harmonizim idesh dhe propozimesh konkrete, në funksion të rritjes së fluksit të investimeve në këtë bashki, kryesisht në objekte shkollore, të cilat në disa njësi administrative janë pothuajse jashtë funksionit. Kryetari i bashkisë Fushë-Arrëz, z. Fran Tuci, e siguroi zv.kryeministren, se ai dhe stafi i tij janë të përkushtuar në realizimin e premtimeve të dhëna para banorëve të kësaj bashkie, si dhe falënderoi qeverinë shqiptare dhe posaçërisht kryeministrin Edi Rama për vëmendjen e treguar ndaj kësaj bashkie, duke sjellë investime të rëndësishme në këtë bashki, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe standartin e jetesës së komunitetit.

Në këtë takim, ishte i pranishëm dhe ish-kandidati për deputet Paulin Luli, si dhe drejtues të njësive administrative në juridiksioin e bashkisë Fushë-Arrëz, të cilët diskutuan në lidhje me shërbimet publike dhe problematikat e ndryshme që paraqet kjo bashki.

  

Takimi më pas vijoi me inspektimin e disa zonave dhe objekteve të rehabilituara nga bashkia, ku zv.kryeministrja, e impresionuar nga ndryshimet e bëra në këtë qytet, dha sinjale të qarta mbështetjeje për kryetarin e bashkisë z. Fran Tuci, duke i premtuar të tjera ivestime nga buxheti i qeverisë në këtë bashki.