Gabriel Louis Jaray/ Një gazetar francez zbërthen jetën e Vlorës së 1909-ës
Gabriel Louis Jaray/ Një gazetar francez zbërthen jetën e Vlorës së 1909-ës
Libri që u shndërrua në një udhërrëfyes për vendin misterioz, Shqipërinë e mbetur në hije, Shqipërinë e panjohur, të fillimit të ‘900-ës. Çfarë shkruante historiani dhe gazetari francez për vizitën e tij në Vlorë në prag të vjeshtës së 1909? Sëmundje, varfëri, traditë e cënuar, anarki, pushtet feudalësh…
Befasitë e përballjes me një vend të panjohur shpesh janë tronditëse. Nguliten thellë, në ndërgjegjen e “zbuluesit” duke kërkuar prej tij mijëra shpjegime. Gabriel Louis Jaray, gazetari francez me intuitë të mrehtë, një vëzhgues i hollë, dinamik e guximtar kreu një udhëtim që shumë kush e quajti udhëtimi frikëndjellës i Gabriel Louis Jaray-t. Duke u marrë me çështjen maqedonase, Jaray vajti edhe në Shkup. Atje intuita prej gazetari e bëri të nuhasë një aventurë të re, që e shtynte për të zbuluar shumëçka mbi çështjen kombëtare shqiptare. Për të dëgjoi pikërisht gjatë ditëve të qëndrimit në Shkup. Kësisoj u nis drejt zbulimit. Nga Shkupi shkoi në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, pastaj në Kukës, Lumë, Mirditë etj. Jaray e vijoi udhëtimin e tij në gusht-shtator 1909 nëpër viset shqiptare, nga Vlora në Durrës, Tiranë, Elbasan, Strugë, Resnje. Disa vjet pas këtyre udhëtimeve ai botoi pranë Shtëpisë Botuese Hachette, asokohe, një prej shtëpive botuese më në zë në Francë, dy libra: “L’Albanie inconnue” (Shqipëria e panjohur) në vitin 1913 dhe një vit më vonë më 1914 “Au Jeune Royame d’Albanie” (Në mbretërinë e re të shqiptarëve). Këto dy libra, janë në shqip brenda një vëllimi, nga shtëpia botuese “Dituria” me përkthimin e Asti Papës.
“Jam përpjekur vetëm të jap një paraqitje besnike të krahinave më të rëndësishme dhe më të populluara të Shqipërisë së pavarur. Në librin “Shqipëria e panjohur”, kam treguar udhëtimin që bëra te shqiptarët e veriut, në qytetet e ndaluara, të cilat njëherë e një kohë u ishin marrë serbëve nga shqiptarët dhe tani ishin rimarrë nga serbët, si dhe ndërmjet fiseve të pavarura dhe të panënshtruara të Malësive të Veriut. Libri “Në mbretërinë e re të shqiptarëve” flet për pjesët e tjera të Shqipërisë, atë qendrore, jugore dhe lindore, që ishin më të lehta për t’u parë. Dhe këto janë pikërisht ato krahina, që janë paracaktuar të bëhen qendra e këtij shteti të ri, pra të mbretërisë së re të Shqipërisë. Pikërisht në këtë trevë e është vendosur edhe kryeqyteti, aty ku janë bërë përpjekjet e para për organizimin e shtetit, aty ku veprojnë edhe shemëritë më të mëdha, aty ku fillojnë pikësëpari të përplasen traditat e lashta vendore me kërkesat e reja të një shteti të shekullit XX”. Kështu shënon në krye të librit Gabriel Louis Jaray, duke ngritur dhe një varg pyetjesh.
“A është e përligjur, që të nxjerrim ndonjë përfundim për të nesërmen, nga ato që unë kam vështruar dje? A na lejohet të bëjmë parashikime për fatin e “Shqipërisë për shqiptarët”, për të ardhmen e mbretërisë së re të shqiptarëve, duke u nisur nga çka kemi parë për “arnautët” nën zgjedhën turke? Sidoqoftë nuk duhet të harrojmë se në këtë mes do të luajnë rolin e tyre edhe të papriturat, siç janë fatet e historisë, njerëzit që themelojne ose rrënojnë perandoritë, si dhe logjika e ngjarjeve: dhe e rrethanave”, shënon Jaray. Nga libri i tij, kemi shkëputur vetëm një pasazh ku flitet për mbresat e udhëtimit të tij në Vlorë.
Stli i të shkruarit, mjeshtëria e përshkrimeve plot detaje e hollësi, fryma dhe kënvështrimi i shkrimtarit-udhëtar Jaray, mund të rrëzojnë çdo barrierë leximi e ta kredhë lexuesit në hapësira të pa fund joshjeje. Madje ta udhëheqë drejt një bote ku sundonte misteri. Ndaj s’është e rastit që prej shumë dekadash, ky libër u shndërrua në një udhërrëfyes, një busull për vendin misterioz, të paarritshëm, të ndaluar, Shqipërinë e mbetur në hije, Shqipërinë e panjohur, të fillimit të ‘900-ës. Ai mbërriti në prag të vjeshtës së 1909 në Vlorë, nga e cila merr shumë mbresa. Shënimet e tij të udhëtimit hedhin dritë mbi gjendjen reale të këtij qyteti ku u formua dhe qeveria e Vlorës, që nuk qeveriste në fakt më shumë se pesëdhjetë kilometrash rreth e qark qytetit. Sëmundje, varfëri, traditë e cënuar, anarki, pushtet feudalësh… Përjetoni një pjesë rrëfimi nga mjeshtri i reportazheve Gabriel Louis Jaray.
Vlora e malarjes
Nga Gabriel Louis Jaray
Ashtu siç vërehej në Marok, i cili tradicionalisht ndahej në viset maghzen dhe në viset siba, pra në një trevë që i nënshtrohej sulltanit dhe në një trevë tjetër të panënshtruar, e njëjta gjë vërehej edhe në ato treva, të cilat në hartat tona emërohen zakonisht si Shqipëria. Pikërisht në bazë të një shenje dalluese të veçantë ne mund të përfshijmë një fshat ose një qytet shqiptar në një nga këto dy treva. Dhe kjo shenjë dalluese është pagimi ose jo i taksave dhe i tatimeve nga ana e tyre. Në librin Shqipëria e panjohur unë kam treguar për udhëtimin tim në trevën siba të Shqipërisë. Por tani ja që kam zbritur nga Malësitë e Veriut dhe kam vajtur deri pranë Kanalit të Otrantos, duke ndjekur “shkallët” e Shqipërisë. Më pas kam kaluar nga bregdeti i Adriatikut për në Maqedoni, drejt Manastirit dhe Shkupit. Kudo ishte vendosur administrata turke, të cilës edhe në mos i bindeshin, të paktën e respektonin. Kudo në këto vise italianë, austriakë dhe grekë ngrenë magazina dhe shohin interesat e tyre. Anijet e shoqërive Puglia dhe Lloyd1, si dhe anijet greke, çdo ditë sjellin aty, bashkë me flamurin e tyre, edhe prodhimet, edhe agjentët e këtyre shteteve.
Preveza dhe Saranda janë skelat e para ku ndalojnë anijet me avull, të cilat bëjnë lundrim pranëbregdetar dhe kryejnë shërbimin e postës, që nga kufiri i vjetër grek deri në kufirin me Malin e Zi ose Austrinë2. Që të dy këto qytete nuk janë skela fort të rëndësishme dhe shërbejnë kryesisht si porte për Janinën dhe krahinën e saj, nga e cila janë larg nja dymbëdhjetë orë me karrocë (Preveza) dhe me kalë (Saranda).
Por anija që lundron gjatë brigjeve të egra, të cilat bien thiktas në det, pa pritur e pa kujtuar mbërrin para një të çare të brigjeve. Në veri të saj shtrihet një fushë e sheshtë dhe kënetore, e cila krijon një kontrast të madh me malet që zgjaten në jug dhe që e shtrëngojnë thuajse plotësisht këtë pjesë të futur të bregdetit, i cili mbyllet dhe mbrohet nga një ishull. Ky është Gjiri i Vlorës. Anija futet e lundron në kanalin në mes të ishullit të Sazanit dhe Kepit të Gjuhëzës, i cili është edhe pika jugore malore e gjirit ku anija lëshon spirancën.
Rada është mahnitëse. Gjiri i gjerë me një kaltërsi të paparë të ujërave, hapet tani mbi një sfond malesh të bleruara, që aty këtu “njollosen” nga kurorat e përhime të ullinjve. Dhe aty më poshtë, në të djathtë, nga mesi i brigjeve, shquhet fshati i Kaninës, i cili i ka ngritur shtëpitë e tij të lashta, që duken si rrënoja romake, në mes të ullinjve të mbjellë aty nga venedikasit. Ndërkaq, në të majtë, fusha e sheshtë nxjerr paksa kokën mbi dallgët. Me vështirësi mund të vërejmë se ku mbarojnë kallamishtet e bregdetit dhe ku fillojnë ullishtat dhe vidhishtet, në të cilët është zhytur Vlora. Qyteti mezi duket. Vetëm atje tej shquhen majat e bardha të minareve, që shkëputen dhe lartohen nga mesi i korijeve. Ndërkaq në port ndërtesa e doganës rri duke pritur udhëtarin.
Ky rreth gjelbërimi shtrëngon një gji të qetë deti. Ishulli që e mbyll radën e thyen furinë e dallgëve. Kodrinat ndalojnë erërat e jugut dhe puhinë e lindjes. Uji i qetë i detit pasqyron në thellësi të gjirit siluetën e majave të maleve që e mbrojnë atë.
Anija lëkundet nga valët, pasi ka hedhur spirancën nja pesëqind metra larg bregut moçalor. Nga skela afrohen barkat, që shkojnë e ngjishen pas anëve të anijes. Njëra nga barkat ka sjellë aty zëvendëskonsullin e Italisë, i cili vjen për të njohur të rejat, ndërsa me barkën tjetër ka ardhur një nëpunës i konsullatës austriake. Anas avullores vërehen anije me vela, deri diku me tonazh të madh, të cilat janë të ngarkuara me fuçi dhe lëkurë, pa dyshim të mbushura me vaj ulliri, si dhe me dengje lëkurësh dhie, të cilat janë të dy mallrat që eksporton vendi. Barkëtarët ngulmojnë që të marrin për të zbritur në steré njerëzit që ndodhen në anije. Ja më në fund edhe barka në të cilën zbrita. Barkëtari rremon dhe largohet nga anija, mandej ngrihet në këmbë dhe shtyn barkën, duke u mbështetur me rrema në fundin e cekët të detit.
***
Në shumë nga qytetet e Lindjes, qielli dhe deti, drita e praruar, vezullimi i njollave të bardha që përbëjnë shtëpitë duke nxjerrë kokën nga gjelbërimi i harlisur, ngjyrat e forta që dridhen dhe ajri i tejdukshëm, i cili afron gjithçka dhe shihet në rrafshin e parë, përbëjnë bukurinë e visores. Ato hedhin mbi qytetin një si vegull ëndrre, që shfaqet para udhëtarit që i afrohet bregut. Udhëtari zbret në tokë. Dhe nga një vështrues i largët i asaj pamjeje përrallore ai kthehet tani në një shëtitës të zakonshëm, i cili pret me ankth ta shohë nga afër atë bukuri që ka parë e soditur nga larg. Por shpesh, për fat të keq, ai zhgënjehet dhe mallkon vegimin, të cilin e kishte krijuar vetëm drita në sytë e tij.
Edhe Vlora është një nga këto qytete. Udhëtari zbret në një port sa për të thënë se është i tillë, ose më mirë të themi se zbret në skelën e ndërtuar nga një shoqëri e cila shfrytëzon bitumin. Disa pemë fshehin rrënojat e një fortese të madhe venedikase. Përtej shtrihet një rrugë tërë pluhur, e cila që nga dogana të çon në një qytet as të bukur dhe as tërheqës. Tregu nuk ka asgjë për të qenë dhe tezgat e tij janë fare të varfra. Sheshi i madh i qytetit është fare i rëndomtë, ashtu si dhe xhamitë pranë tij. Mungon uji i rrjedhshëm. Veshjet kombëtare të vendit këtu nuk shihen më dhe shtëpitë nuk të lënë mbresa. Ato nuk janë si kullat e Gjakovës dhe të Pejës, pra si fortesat feudale të bejlerëve shqiptarë të Veriut. Në kopshtijet e thara nuk vërehet ajo gjallëri, që i japin vijat e ujit rrjedhës Tiranës së gjelbër ose Pejës së fshehtë.
Asgjë nuk të sjell në mend këtu pamjen e veçantë të qyteteve shqiptare që gjenden në brendi të vendit. Kërkova varrezat, ku, pranë shtëpive të qytetit, vetëm disa gurë të vendosur në këmbë tregojnë varret dhe ku nën ullinjtë shekullorë kalojnë njerëz e kafshë për të kryer nevojat e tyre. Nuk e gjeta më atë lulishte të rrethuar, me atë lëmsh të përzier lulesh, pemësh dhe hardhish me vila të rënda rrushi të pjekur, që pasi i këput, mund të freskohen në ujin e akullt dhe të kthjelltë që lëviz në vijat që janë gërryer në bar.
Vlora jo vetëm që nuk është e bukur, por nuk është edhe e shëndetshme. Ajo rrethohet nga moçalishte dhe malaria bën kërdinë. Udhëtari që vjen nga Perëndimi dhe qëndron në Vlorë nuk duhet të harrojë të marrë me vete kininë dhe ta përdorë atë. Qeveria turke me atë moskokëçarjen e saj të zakonshme, nuk ka bërë asgjë për të mbrojtur banorët nga sëmundja. Nuk janë mbjellë askund eukalipte, të cilët mund ta kishin tharë fare bukur mjedisin rrethues, duke zhdukur malarien endemike. Le të urojmë që qeveria e re shqiptare do të jetë më largpamëse.
***
Pikërisht në Vlorë kjo qeveri vendosi qysh në fillim kryeqytetin. Dhe arsyeja ishte shumë e thjeshtë: aty kishte pronat kryetari i kësaj qeverie të parë, Ismail Qemali. Në tërë këtë pjesë të Shqipërisë, ashtu si dhe në Veri, vazhdon të mbijetojë prona feudale. Krahas fshatrave të lira, në të cilat çdo fshatar është pronar i tokës së tij, ka edhe prona të mëdha tokash, që u përkasin bejlerëve që përbëjnë klasën mbizotëruese të popullsisë. Në këto prona të mëdha tokash janë të vendosur fshatarë gjysmatarë, të cilët kalojnë aty tërë jetën e tyre si bujq dhe punojnë tokën. Sipas krahinave, ata marrin nga toka e punuar gjysmën ose një të tretën e prodhimit.
Ndërmjet pronarëve të mëdhenj, në çdo pjesë të Shqipërisë, me kalimin e kohës kanë dalë disa familje që ushtrojnë ndikimin e tyre mbi të tjerat e parisë. Në Vlorë familja më e madhe është ajo Vlora ose Vlona, shtrembërim, thuhet nga emri Valona. Kryetari i kësaj familjeje është veziri i madh i mëparshëm i Perandorisë Osmane, Ferid pasha. Tokat e tij maten me orë ecjeje në këmbë. Pallati i tij ndodhet në qytetin e Vlorës, por tepër i rrënuar, sepse ai vjen e qëndron shumë rrallë në Vlorë, ku e padisin për shumë shpërdorime. Prandaj ndikimin tradicional të familjes Vlora e ka trashëguar kushëriri i tij i varfër, Ismail Qemali, i cili ka njëfarë kohe që mbahet si kryetar i familjes.
Gjatë kohës së regjimit të Perandorisë Osmane ai kishte si program pavarësinë e Shqipërisë. Kur erdhën në fuqi xhonturqit e shpalli veten si “osmanli”, por kundërshtar i Ahmet Rizait dhe i miqve të tij. Ai u lidh me “Bashkimin Liberal” dhe mandej u bë kryetar i kësaj partie. I ndodhur përballë sistemit centralizues të Komitetit Bashkim e Përparim, Ismail Qemali iu kundërvu atij dhe kërkoi decentralizimin dhe autonominë e Shqipërisë. Të gjithë bejlerët shqiptarë të viseve përqark, deri në Berat dhe Elbasan, ishin miqtë dhe ithtarët e tij. Mund të themi pa frikë se Ismail Qemali arriti të krijojë në këtë pjesë të Shqipërisë bashkimin e klasës drejtuese kundër Turqisë së re.
Në vitin 1909 Turqia u hakmor: pas kundërlëvizjes së Stambollit dhe fitores së xhonturqve, këta të fundit thanë se bejlerët e Vlorës kishin kurdisur një komplot dhe i paditën si tradhtarë ose reaksionarë. Atëherë shumica e bejlerëve u arratisën në male ose ikën jashtë. Kësisoj mund të besojmë se ata më pas, kur u erdhi radha, i përzunë dhe i ndoqën me kënaqësinë më të madhe përfaqësuesit e Turqisë së re dhe morën në dorë pushtetin, ose çka tani duket si pushtet.
Ndërkaq duhet të themi se kjo klasë e popullsisë në jug të Shqipërisë është shumë e ndryshme nga bejlerët dhe kryetarët e fiseve të malësive të Veriut. Këta të fundit nuk kanë pasur asnjëfarë lidhje me Perëndimin dhe nuk e njohin fare atë. Ndërsa bejlerët e Vlorës kanë vajtur atje dhe disa prej tyre flasin italisht, gjermanisht ose frëngjisht. Ata ndriçohen nga bota jashtë Shqipërisë dhe kanë një vernik kulture. Janë myslimanë, por aspak fanatikë. Madje disa prej tyre si Ismail Qemali, mbahen si miq të ortodoksëve. Ata janë shumë të ndërgjegjësuar për kombësinë e tyre shqiptare dhe kanë ambicien që të jenë zotër në shtëpinë e tyre dhe të arrijnë synimet e tyre, duke përdorur mjetet e përshtatshme.
Te këta bejlerë është zbutur shumë vrazhdësia dhe egërsia e dokeve dhe zakoneve të Veriut dhe ata e kanë zëvendësuar gjuhën e pushkës me dredhinë. Ata nuk mbajnë me vete pushkë, mirëpo kanë një përfytyrim të zhvilluar, që i bën të shohin të tëra mundësitë e një rrugëdaljeje në një gjendje të caktuar. Megjithatë klima e butë dhe jeta më pak e vështirë, që bien haptas në kundërshti me stinët e ashpra të malësive të Shqipërisë së Veriut, si dhe luftërat e pandërprera për mbijetesë të kryetarëve të fiseve të Lumës apo të Malësisë së Madhe, u kanë dhënë bejlerëve të lindur në brigjet e Vjosës dhe në bregdetin e Vlorës, atë lloj limontie lindore, atë ngathtësi dhe përtaci për të vepruar, të cilën e kanë të tërë popujt që shekuj me radhë janë përkëdhelur nga ngrohtësia dhe kaltërsia e qiellit mesdhetar dhe nga ëmbëlsia e dallgëve, që shtyjnë drejt veriut dimrat e acartë. Dhe prandaj shpeshherë vrulli dhe zelli i njerëzve të Vlorës mbeten vetëm një përfytyrim i tyre dhe nismat mbeten për t’u vënë në jetë nesër.
Të gjithë e dinë se ajo lloj qeverie që krijoi Ismail Qemali në dhjetor 1912 qëndroi në këmbë vetëm një vit. Ai ngriti mbi qytet flamurin e Shqipërisë së pavarur, shqipen e zezë dykrenore mbi sfondin e kuq, për t’ia kaluar më pas pushtetin princit të zgjedhur nga Europa. Gjatë kohës së regjimit turk Vlora kishte vetëm një kajmekam. Ndërkaq Ismail Qemali ngriti aty një qeveri të tërë. Dhe ç’është për t’u theksuar, ajo ishte një qeveri pronarësh të mëdhenj.
Zenel beu, i cili u emërua kryetar i Senatit, pa e ditur as ai vetë sesi u caktua në këtë post, është kryetar i familjes së madhe të Mahmud Begollit të Pejës. Riza beu, kryetari i familjes më të vjetër të Gjakovës u emërua si komandant i ushtrisë kombëtare, së bashku me beun turbullues aq të dëgjuar Isa Buletini. Ndërkaq Abdi bej Toptani, që u emërua ministër i Financave, Mehmet pashë Dërralla që ishte ministër i Luftës dhe Lef Nosi që u zgjodh ministër i Postave dhe Telegrafit, ishin që të gjithë pronarë të mëdhenj. Kjo ishte pra një qeveri bejlerësh, në të cilën merrte pjesë edhe Luigj Gurakuqi që kishte qenë sekretar i Ismail Qemalit dhe tani ishte ministër i Tregtisë, por edhe si i ngarkuar i veçantë për çështjet dhe rrethanat e vështira, meqenëse ishte një tip levantini dinak, i zgjuar dhe i shkathët, që njihte mirë italishten dhe frëngjishten dhe shërbente si ndërlidhës në mes të Shqipërisë dhe Europës.
Kjo ishte pra qeveria, të cilën po vazhdojmë ta quajmë si të Vlorës, sepse ajo në të vërtetë nuk qeveriste me tërë kuptimin e fjalës përtej një treve prej afro pesëdhjetë kilometrash rreth e qark qytetit. Më në veri dhe më në lindje mbretëronte anarkia shqiptare. Në jug popullsia ortodokse greke e Epirit kërkonte bashkimin me Greqinë, me përjashtim të disa popullsive myslimane që rrinin nëpër male, si lebërit, pranë Sarandës dhe sidomos më në jug çamët, të cilët e kishin ruajtur fanatizmin dhe veçimin e tyre.
Kështu pra Qeveria e Vlorës e ushtronte pushtetin e saj vetëm mbi nja njëzetmijë banorë. Vetë qyteti ka nja tetëmijë banorë, shumica e të cilëve janë shqiptarë myslimanë. Në Vlorë banorët ortodoksë shqiptarë dhe grekë, si dhe shtetas italianë katolikë, por me prejardhje shqiptare, flasin shpesh greqisht dhe italisht. Ndërkaq turqishtja këtu nuk është njohur asnjëherë.
d.ba.
/Shqiptarja.com