7 Korrik 2024

Me vetëm pak muaj të mbetur nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, presidenti aktual Joe Biden më 5 korrik tha se do të qëndrojë në garën kundër kandidatit republikan Donald Trump.

Ai madje shtoi se do të mundte ish-presidentin amerikan Donald Trump sërish. Megjithatë, gjatë artikulimit të tij Biden nuk arriti të shmangë një gafë, e cila shtohet në repertorin e shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë.

“Më lejoni ta them sa më qartë që të mundem: Unë do të qëndroj në garë! Do ta mund Donald Trump përsëri në 2020”, tha Biden, duke rikujtuar vitin kur arriti të triumfonte ndaj Trump.

“Me siguri keni dëgjuar se kam pasur një debat të vogël javën e kaluar. Nuk mund të them se është performanca ime më e mirë, por që atëherë, ka pasur shumë spekulime: ‘Çfarë ka? Joe do të qëndrojë në garë A do të largohet, çfarë do të bëjë?’ Epo, ja ku është përgjigja ime, unë po kandidoj dhe do të fitoj përsëri”, tha Biden.