Galeria e Arteve me dyer të mbyllura që në shkurt, artistët akuza drejtorit Erzen Shkololli.-
Galeria e Arteve me dyer të mbyllura që në shkurt, artistët akuza drejtorit Erzen Shkololli.
Galeria Kombëtare e Arteve vijon prej muajsh pa aktivitet për publikun, një situatë që ka bërë të reagojnë artistë të ndryshëm duke kërkuar që institucioni të dalë nga izolimi. Piktorë dhe kuratorë i drejtohen drejtorit të galerisë Erzen Shkololli që të nisin sa më parë aktivitetet, pasi që pas emërimit të tij zyrtarisht në këtë institucion nuk ka veprimtari. Ekspozita e fundit ishte ajo e konkursit “Onufri”, që u mbyll në fund të muajit janar. Kanë kaluar disa muaj nga mbyllja e ekspozitës dhe për piktorin Buron Kaceli kjo është një situatë, e cila po largon dhe spektatorin. “Nuk ka pasur rast të rrinte GKA mbyllur kaq kohë. Nuk e kuptoj pse ka ndodhur kjo me galerinë. Një situatë e rëndë, sepse kur ndërpritet kaq kohë aktiviteti dhe largohet spektatori”, pohon piktori Buron Kaceli. Skulptori dhe pedagogu i arteve Artan Peqini shprehet se që në fillim me emërimin e tij drejtori i ri duhet të ishte marrë me kalendarin artistik nëse nuk ka gjetur program dhe të vijonte aktiviteti. “Nuk është një situatë normale me çfarë ndodh me një institucion si GKA. Është ndaluar aktiviteti i galerisë dhe nuk ofron asgjë për publikun. GKA i shpall një vit përpara aktivitetet në mos më shumë. Duhet të jenë aktivitete, ekspozita që i aprovon bordi artistik. Në GKA po thellohet distanca me publikun. Nëse e ka gjetur GKA pa program duhet të ishte shpejtuar të bënte dhe një program emergjence. Nuk e kuptoj këtë lloj izolimi? Se kuptoj çfarë po bën drejtori i ri?”, pohon skulptori Peqini. Më tej në reagimin e tij skulptori i njohur vijon se GKA e shikon larg ambienteve artistike. “Drejtori i ri e di institucionin që po drejton dhe nëse i ka dalë për zot duhet ta mbajë me aktivitet. GKA nuk duhet të rrijë e izoluar, ka pasur tendenca më parë dhe po rikthehet sërish një gjë e tillë. Deri tani e shikoj GKA larg nga ambientet artistike. Hedh Ministria e Kulturës një shashkë, jo muze jo galeri, ndërkohë që ajo është një hapësirë fantastike dhe të ketë aktivitetin e saj. Nuk mund të krijojmë paragjykime as për cilësi, as për artistë, më e rëndë- sishme është të ketë aktivitete dhe lër opinionin të vendosë”, pohon skulptori Artan Peqini.
Të bëhen publike planet për GKA
Për piktorin Adrian Devolli me çfarë po ndodh në GKA është një situatë anormale. “E gjykoj si anormale që prej disa muajsh GKA nuk ka prezantuar as kalendar, as aktivitete, asgjë. Në një vend që nuk afrohet asgjë është e tmerrshme, që krijuesit të rrinë qosheve dhe studiove dhe mos t’i shpalosin vlera e tyre. Kur nuk ndjehet asnjë lloj stimulimi edhe nga Ministria e Kulturës që është e para që ka përgjegjësinë për institucionet dhe artistët. Drejtori i GKA duhet të kishte shpalosur me kohë planin e aktiviteteve. Është absurde që rri në këtë gjendej ai institucion”, pohon piktori Devolli. Për kuratorin Andi Tepelena duhet një shpjegim publik se çfarë po ndodh me GKA, institucion i cili pas largimit të ish drejtorit Artan Shabani po qëndron mbyllur. “Drejtori i institucionit Erzen Shkololli duhet të dalë dhe të shpjegojë para publikut dhe para komunitetit artistik se çfarë po ndodh, çfarë planesh kanë. Nuk mund të mendohet GKA sikur të jetë shtëpia e tij, kemi sot një galeri të mbyllur. Të dalë dhe të shpjegojë.
Që në fillim kur ai u vendos në GKA duhet të kishte bërë publike se çfarë ka ndërmend të bëjë në galeri, jo ta ndalojnë në rrugë e ta pyesin njerëzit. Që në fillim të pohonte që ishte për të bërë një reformë të plotë në GKA, të dalë dhe të sqarojë, të jetë me një propozim konkret. Ne e dimë që GKA kërkon rehabilitim, riformim, etj, por të dalë titullari i institucionit të japë një shpjegim. Nuk e mbaj mend që GKA të rrijë kaq gjatë pa një ekspozitë të re”, pohon kuratori Tepelena. Interesimit të gazetës burime zyrtare pranë GKA i bënë me dije se drejtori i institucionit do të prezantojë kalendarin artistik përmes një konference për mediat, ku do të shpalosë vizionin dhe idetë e tij për institucionin. Po ashtu bëhet me dije se gjatë kësaj kohe drejtori Erzen Shkololli po merret me riorganizimin dhe rikonceptimin e GKA. Ndërkohë që ekspozita e parë pas ardhjes së tij në detyrë bëhet me dije të jetë gjatë këtij muaji. Në faqen zyrtare të GKA ekspozita e fundit që qëndron e publikuar është ajo e “Onufrit”, ndërsa për ekspozitat e ardhshme nuk prezantohet asgjë. Para largimit të ish drejtorit Artan Shabani, në muajin janar GKA me fondet e saj iu bashkua institucioneve të tjera në ekspozitën kushtuar Skënderbeut në Pallatin e Kongreseve. /Julia VRAPI
/Agjensia e Lajmeve Sot News/