Galeria e Artit Tiranë hap ekspozitë me tre piktorë të njohur, punime me motive popullore, objekte kulti, peisazhe dhe natyra të qeta
Shkruar Nga Julia VRAPI
3 QERSHOR 2022
Tre piktorë të njohur me punimet e tyre në pikturë prezantohen në Galerinë e Artit Tiranë. Në vijim të aktivitetit artistik, GAT në tre sallat e saj ka çelur ekspozitën me punimet e tre piktorëve Qamil Prizreni, Shkëlqim Gostivari dhe Aleksandër Dragoti, pjesë e koleksionit të Teodor Lloskës. “Salla e kuqe” përmban punët e piktorit Qamil Prizreni, “Salla e bardhë” janë punimet e piktorit Gostivari dhe “Salla gri” me punimet e Dragotit. Në tre sallat e GAT publiku gjen punime me motive popullore, objekte kultit, peisazhe apo dhe natyra të qeta, ku përveç ekspozimit janë publikuar dhe çmimet e pikturave për secilin autor. Koleksionisti Teodor Lloska tregon se mendoi të ekspozonte punët e këtyre tre artistëve, duke filluar me piktorin Qamil Prizreni. “Qamilin e kisha porositur për të bërë këto akuarele, sepse merrem dhe me veshjet etnografike. Më pas gjykova Gostivarin, sepse atij nuk i kisha hapur ndonjëherë ekspozitë, si dhe Dragotin. Përveç ekspozimit që është për publikun, të ketë dhe një treg në kuptimin e artit, sepse ekspozimi në vetvete nuk është qëllim më shumë se sa është tregu i artit siç po punojmë që të rritet vlera e artistëve, sepse arti pamor është në vështirësi. Problemi është që tu rritet çmimi artistëve të shesin, dhe ne si koleksionistë jemi munduar ti ndihmojmë. Dikur unë i bëja ekspozita falas në galerinë time “Didart” artistëve”, tregon ai. Në ekspozitë piktori Qamil Prizreni prezantohet me punime në pikturë me veshje me motive popullore nga veriu në jug të vendit. Piktori Aleksandër Dragoti prezantohet me peizazhe nga Tirana, kompozime apo dhe natyra të qeta. Ndërsa piktori Shkëlqim Gostivari prezantohet me peizazhe, që kryesisht më shumë janë të zonës së bregdetit të jugut, ku përfshin dhe objekte kulti siç janë kishat apo dhe natyra të qeta. Ekspozita do të qëndrojë për publikun deri më 5 qershor.
Tre piktorët dhe aktiviteti artistik
Piktori Qamil Prizreni ka lindur në Tiranë më 27 qershor 1938. Krijimtaria dhe veprimtaria e artistit Prizreni “Mjeshtër i Madh” njihet jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve duke prezantuar vepra të mrekullueshme me tematika të ndryshme.
Veprat e Qamil Prizrenit kanë dhënë dhe japin një kontribut të madh në historinë e artit shqiptar. Piktura e tij dallohet me lehtësi nga ata që e kanë ndjekur ndër vite, pasi artisti krijon ashtu siç e ndjen ai pikturën, ngjyrën dhe lojën e dritës. Shkëlqim Gostivari ka lindur në Tiranë më 5 qershor të 1973. Kreu studimet në Akademinë e Arteve, dega Grafikë-Designer, Tiranë. Ka filluar të punojë pranë të parës galeri private në Shqipëri “TI & GI, që prej 1993, ku aktualisht vazhdon të jetë aktiv. Në këtë galeri është zhvilluar pjesa më e madhe e aktivitetit të tij artistik, me një numër të konsiderueshëm ekspozitash personale dhe kolektive. Aty vazhdojnë të ekspozohen një pjesë e punëve të autorit. Aleksandër Dragoti ka lindur në Tiranë më 18 shtator të vitit 1956. Është një ndër piktorët shqiptarë që tashmë njihet për pikturat e tij me stil të veçantë. Ai tashmë numëron në prodhimtarinë e tij rreth 500 piktura, si kompozime, peizazhe, portrete, natyra të qeta. Piktura e tij është një ngasje drejt modernes, për të njohur antiken, është një mistikë që tundon realen.