Galeria është e piktorëve dhe e skulptorëve, duhen pyetur ata. –
Interviste me Piktorin Rakip Shabani. –
- Z. Shabani, cili është mendimi juaj lidhur me propozimin për ndryshimin e emrit të Galerisë Kombëtare të Arteve?
Kjo galeri është e arteve figurative, ka një përcaktim të qartë. Nuk mund të kemi art të bukur dhe art të shëmtuar. Art të shëmtuar nuk ka, ka vetëm art të bukur, ndaj quhet art. Mund të ndërrohet emri, por emri i saj është lidhur pazgjidhshmërisht me pasurinë e saj, me pikturat dhe skulpturat që ka. Ndoshta, ky ndryshim do të bëhet pasi Galeria mendohet se lidhet me artin socialist. Për mendimin tim, aty nuk ka piktura të kësaj natyre me këtë përcaktim. Arti socialist është një shtojcë që nuk merret në konsideratë, pasi nuk ka ndjenjë socialiste, pasi arti është ndjenjë. Ashtu siç nuk ka ndjenjë kapitaliste. Ndjenja është individuale. Në të vërtetë, në atë galeri është arti i realizmit shqiptar. Aty është historia e kombit tonë. Kur vijnë të huajt në Shqipëri, vetëm Galerinë e Arteve duan të vizitojnë. Ajo është galeria e piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë. Aty ka një histori të kombit, që nga piktorët e parë shqiptarë, si David Selenica dhe deri tek piktorët më të rinj. Për mendimin tim, galeria të mos jetë si sallë ekspozitash, por të jetë si galeri për vizitorë që të njihen me pikturën shqiptare. Ajo është pronë e artistëve shqiptarë që kanë dhuruar mendjen e tyre, shpirtin e tyre për të paraqitur botën e bukur të artit shqiptar tek vizitorët. Unë aty kam 24 vepra, por ka të tjerë kanë më shumë dhe besoj janë në mendimin tim që ajo të jetë me historinë dhe emrin që ka. Pronarë të Galerisë janë artistët shqiptarë, që kanë dhuruar punimet më të bukura të jetës së tyre për të pasuruar artin shqiptar në sytë e të huajve. Veprat tona aty janë flasin me ngjyrat, me penelin e hollë mjeshtëror të artistëve tanë ndaj duhet të pyeten, por edhe të ruhet tradita. Galeria është një muze me shumë vlerë e artit pamor shqiptar, që ka fituar emrin e tij. E bukur është dhe një femër edhe një lule, por nuk është përcjellë në art, është fizikisht aty në rrugë.
Cila është sipas jush, vlera e vërtetë që përcjell ky institucion?
E rëndësishme se ne me këtë galeri kemi fituar identitetin e kombit tonë, madje e kemi përcjellë me shumë forcë tek të huajt që e pëlqejnë dhe e propagandojnë këtë art. Madje, duhet ta ruajmë dhe ta pasurojmë atë, por me këtë emër. Nga ana tjetër, kemi në mes të Tiranës, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që ka një emër të bukur, por nuk ka asnjë bust të dëshmorëve, asnjë portret figurativ të tillë. Kot e ka marrë këtë emër, kur ka me dhjetëra buste, monumente, statuja të autorëve shqiptarë, që rrinë të fshehura në galeri? Në galeri, është identiteti i kombit, identiteti historisë, ndaj rrugët, parqet, lulishtet duhen të mbushen me statuja dhe me buste të heronjve dhe dëshmorëve tanë.