Nga: Rigels Seliman

Përplasjet brenda Partisë Socialiste duket se kanë arritur kulmin. “Garda e vjetër” po përballet me një sfidë të pamëshirshme nga kandidatët e rinj që kërkojnë vendin e tyre në listën e hapur për zgjedhjet e 11 majit. Emrat e njohur të PS-së si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Anila Denaj, Pandeli Majko, Ermonela Felaj dhe Xhemal Qefalia ndodhen përballë një sfide që mund t’i lërë jashtë Kuvendit. Në lojë janë vetëm 6-7 mandate dhe brenda partisë beteja është po aq e ashpër sa me opozitën.

Përplasja e madhe

Konkretisht në listën e hapur të Partisë Socialiste për Tiranën, përveç figurave të njohura socialiste, kanë hyrë dhe disa kandidatë të rinj që kërkojnë të rrëzojnë hierarkinë e vjetër. Endrit Braimllari, Florian Pullazi, Glindxhet Madhi, Halil Koloshi dhe Halit Valteri janë disa nga emrat që synojnë të sigurojnë një vend në Kuvend. Kjo ka bërë që përplasja mes “Gardës së vjetër” dhe “stolit rezervë” është kthyer në një luftë të egër elektorale, ku secili kandidat po lufton fort për të siguruar mbështetje brenda bazës së PS-së.

Felaj: Shoqe jemi, motra s’jemi

Megjithatë sinjalet janë dhënë edhe publikisht. Deputetja Ermonela Felaj ka dhënë një mesazh të qartë, duke e bërë të ditur se në këtë garë nuk ka më aleanca të sigurta. Madje Felaj u shpreh se është e përgatitur për një garë të fortë dhe se qytetarët janë ata që do të vendosin se kush do të përfaqësojë Partinë Socialiste në Parlament. “Formula është e tillë që favorizon kandidatet gra ndaj burrave në listën, në mënyrë që të garantohen kuotat gjinore. Në fund të fundit “Shoqe jemi, motra s’jemi.

Secila kandidate ka një zonë dhe një staf për të punuar. Uroj që puna që po bëjmë të na nderojë sepse tek e fundit ne kemi një profil në politikë, kemi një detyrë në politikë dhe kërkojmë të mbajmë këto vlera politike. Për sa i takon garës gjykoj se kjo fushatë lë hapësirë për gjithsecilin që të sigurojë mbështetje maksimale. Është gjithë ai elektorat që ne përballemi, jo domosdoshmërisht duhet të ketë kartën e PS-së por janë qytetar të këtij vendi dhe duke u qasur me qytetarinë, mund të them që nuk është një betejë e vështirë” tha ajo me tone sfiduese gjatë një prononcimi për mediat këtë javë.

Gjylameti: PS nuk ka garë me PD, por me veten

Ndërkohë Blerina Gjylameti, një tjetër kandidate e fuqishme në listën e hapur, deklaroi se sfida më e madhe për PS nuk është opozita, por vetë procesi i brendshëm. “Ne nuk kemi garë me PD, ne kemi garë me veten. Partia Socialiste reflekton pas çdo mandati dhe punon për të sjellë më të mirën”, tha ajo për mediat këtë javë. Pra me këtë deklaratë, Gjylameti konfirmoi tensionin që po përjeton PS për shkak të konkurrencës së ashpër brenda saj.

Braçe sfidon Ramën dhe ministrat

Nga ana ajër, deputeti Erion Braçe, një nga figurat më të spikatura të PS-së, ka lëshuar një mesazh të fortë për qeverinë dhe kolegët e tij socialistë. Në një deklaratë të zjarrtë, ai kritikoi ashpër ministrat e qeverisë, duke i akuzuar se nuk po bëjnë asgjë për fshatin dhe bujqësinë. “Unë nuk do të pyes për ministrat që flenë! Ritmi i betonit po zhbën fshatin! Nuk mund ta lëmë fshatin në harresë. Kjo është beteja ime dhe nuk do të ndalem!”, deklaroi Braçe në një postim në rrjetet sociale. Madje nga ana tjetër ai ka përmendur dhe deputetët e zonave rurale, ku është shprehur se do e bëj bashkë me ta.

“Është një beteje që do e bëj me Xhemalin, Tonin, Etjenin, Ornaldon, deputet sot në fshatin e Tiranës e kandidate sërish, cilindo tjetër që do të na bashkohet për fshatin, popullin e tij, ushqimin e mirë e të freskët të vendit! Do e bëjmë duke luftuar fort, akoma me fort pa pyetur me për ministra qe flenë, vegjetojnë, mendohen 1 vit, 2, 3, 6 vjet e qe vijojnë te mendohen pa bere asgjë e duke lenë fshatin nen goditje! Është beteja qe i kam kushtuar jetën! Nga Rrogozhina, Kavaja, Ndroqi, Peza, Arbana, Bultica, Kashari, Vora, Preza, Domja, Baldushku, Picalla, Petrela, Bezhita, Iba, Farka, gjithe nen Dajti deri ne Shengjergj, kane nevoje për këtë beteje! Unë di ta bej këtë betejë”, shkruan Braçe në postimin e tij.

Skenari

Por e gjithë kjo beteje në publik dhe nën rrogoz tregon qartë se zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht një sfidë mes partive, por një betejë e vërtetë për mbijetesë brenda Partisë Socialiste. “Garda e vjetër” po përballet me një sulm frontal nga kandidatët e rinj, të cilët kërkojnë të ndryshojnë ekuilibrat brenda partisë. Në fund, vetëm ata që do të sigurojnë mbështetje maksimale do të mbijetojnë në këtë garë të pamëshirshme. Por a do të mbeten jashtë Kuvendit emrat e mëdhenj të PS-së? A do të arrijnë të triumfojnë të rinjtë?

E vetmja gjë e sigurt është se fushata e brendshme e PS-së do të jetë më e ashpra ndonjëherë. Sidoqoftë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më konkretisht, ndërkohë që më poshtë po zbulojnë listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë sa i takon zgjedhjeve të 11 majit, ku emra “VIP” po përplasin “brirët” me njëri-tjetrin për një vend në Parlament.

Lista e PS në Tiranë, ja emrat e 12 deputetëve të sigurt dhe 37 kandidatëve në listën e hapur
Qarku Tiranë
Lista e mbyllur
1. Edi Rama
2. Ogerta Manastirliu
3. Elisa Spiropali
4. Lindita Nikolla
5. Taulant Balla

6. Adea Pirdeni
7. Albana Koçiu
8. Igli Hasani
9. Delina Ibrahimaj
10. Ilva Gjuzi
11. Iris Luarasi
12. Erjon Malaj
Lista e hapur
1. Andi Seferaj
2. Anila Denaj
3. Antonela Dedej
4. Arben Pellumbi
5. Blendi Gonxhe
6. Blendi Sulaj
7. Blerina Gjylameti
8. Edlira Dyrmishaj
9. Eldi Cepeli
10. Endrit Brahimllari
11. Entela Ramosaco
12. Erion Brace
13. Ermonela Felaj
14. Ervin Hoxha
15. Etilda Gjonaj
16. Etjen Xhafaj
17. Fatmir Xhafaj
18. Florian Pullazi
19. Glindxhet Madhi
20. Halil Koloshi
21. Halit Valteri
22. Julinda Dhame
23. Kejsi Elezi
24. Klotilda Bushka
25. Mimi Kodheli
26. Mirgit Vata
27. Olta Xhacka
28. Ornaldo Rakipi
29. Pandeli Majko
30. Persida Shkrepa
31. Plarent Ndreca
32. Roy Bashaj
33. Silda Cepe
34. Sofika Lleshi
35. Toni Gogu
36. Xhemal Qefalia
37. Ylli Shehu

Nga: Gazeta Sot