GAT mirëpret piktorin e çmimeve ndërkombëtare Gjergji Meta, se shpejti hapet ekspozita me mbi 30 piktura
GAT mirëpret piktorin e çmimeve ndërkombëtare Gjergji Meta, se shpejti hapet ekspozita me mbi 30 piktura
4 MARS 2022
Galeria e Artit Tiranë mirëpret në mjediset e saj piktorin Gjergji Meta, një artist i vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Ekspozita e piktorit të njohur do të hapet më datë 10 mars në GAT, dhe motivi urban është kryesisht në punimet në pikturë. Ekspozita në GAT vjen në vijim dhe të atyre që janë hapur gjatë kësaj kohe për publikun. Piktori Gjergji Meta thotë se kjo është ekspozita e parë e tij personale, që hap këtë vit për publikun në një institucion arti. “Në datën 10 deri më 22 mars në Galerinë e Artit Tiranë organizohet ekspozita ime personale. Janë mbi 30 vepra në gjini dhe forma të ndryshme. Janë me motiv urban kryesisht, por të ardhura në një gjendje interesante dhe artdashësi do ta vë re këtë”, tregon piktori Gjergji Meta. Ekspozita personale e tij do të hapet pas disa ditësh, por piktori Gjergji Meta tregon se veprat e tij në pikturë janë realizuar në harkun kohor të 3 muajve. “Me përjashtim të tre punëve të nisur para disa muajve po të plotësuara këto ditë. M’u duk se ekspozita i kishte të nevojshme për atë të cilën dua të them. Kanë një format të ndryshëm”, thotë më tej piktori. Me mbi 30 vepra në pikturë pjesë e ekspozitës personale të artistit të njohur, i cili tregon se të jesh në Galerinë e Artit Tiranë është një kënaqësi. Piktori Gjergji Meta thotë se janë mjedise bashkëkohore. “Në fakt isha shumë i dëshiruar për këtë ekspozitë. Me ngritjen e GAT u lidh edhe kjo marrëveshje. Të ekspozosh aty është një kënaqësi, po dhe nder jo vetëm për gatishmërinë dhe korrektësinë e stafit, por edhe për sallat bashkëkohore”, tregon piktori.
Çdo gjë ka emrin cilësi në GAT
Galeria e Artit Tiranë (GAT) hapi dyert për artistët në nëntor të 2021. Institucioni më i ri i artit në Tiranë nga artistët u pohua si një ngjarje në jetën artistike. Piktori Gjergji Meta tregon se që në fillim ka marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të inaugurimit, po nuk ka munguar edhe në fundvit. “Kam dy punë në koleksionin e muzeut të saj. Çdo gjë ka emri cilësi aty”, thotë piktori Meta. Në lidhje me aktivitetin e tij piktori Gjergji Meta thotë se për shkak të vështirësive që të gjithë kaluam nga pandemia, pjesëmarrjet në ekspozita ndërkombëtare u bënë të pamundura. Por thotë se ka realizuar 4 ekspozita personale në kullat binjake në Tiranë brenda dy vitesh. “Ekspozita e fundit u realizua në dhjetor të vitit që lamë pas”, thotë piktori. Veprimtaria e këtij artisti të talentuar është e madhe me mbi 22 ekspozita ndërkombëtare, si dhe pikturat e tij janë kudo në botë. Ka marrë çmime të ndryshme, si dhe çmim të parë në një bienale të huaj. Gjergji Meta është i njohur nga kritikët më në zë si në Itali, Daniele Radinni Tedeschi, Vittorio Zgarbi, Paulo Levi, Federico Caloi , Sandro Serradifalco, Jean Charles Spina, Elena Ciccetti, Georgio Grasso, etj. Piktori Gjergji Meta, në vitin 2002 mbrojti diplomën në Akademinë e Arteve të Bukura. Në vijim të aktivitetit të tij ka ekspozita personale, si dhe pjesëmarrje në ekspozita të përbashkëta në vendin tonë, por dhe prezantime jashtë vendit.
Gazeta Sot