Gazeta italiane:  – Taksitë e drogës, çdo natë nga Shqipëria në Itali

  – 08/06/20 |

Gazeta autoritare italiane, “La Gazzetta del Mezzogiorno”, në një shkrim të sotëm me autor Gaetano Campione, raporton se taksitë e drogës, skafet e ngarkuar me marijuanë nisen çdo natë nga brigjet shqiptare dhe mbërrijnë në Itali.

Çdo natë, thotë autori i shkrimit, 5 ose 6 skafe nisen nga territoret mes Durrësit dhe Vlorës. Marijuana zbarkon në Puglia, Molise e deri në Ravena. Çdo natë, thuhet në artikull, merret kanabis i kultivuar brenda territorit shqiptar.

Gazetari shton më tej se grupet e trafikimit, paratë e fituara nga marijuana, i investojnë në drogën e fortë, në heroinë dhe kokainë, që mbërrin në Europë përmes porteve të Hamburgut, Roterdamit dhe Anversës.

Gazzeta del Mezzogiorno bën të ditur se trafiku i drogës drejt Italisë nuk u ndërpre as gjatë pandemisë, dhe për këtë i referohet raportit të fundit të Agjensisë Europiane për Narkotikët, degë e Europol.

Në këtë hulumtin të gjatë flitet për forcimin e mafias shqiptare në trafikun europian të drogës, e po ashtu të përdorimit të teknologjisë së fundit të mjeteve të transportit për dërgesat nga Shqipëria drejt Italisë.

Burimi: https://www.lagazzettadelmezzogiorno.it/

Përshtati: Mapo.al