Gazeta izraelite zbulon përpjekjet e Aleksandër Vuçiç për ta parandaluar njohjen e Kosovës nga…
Gazeta izraelite zbulon përpjekjet e Aleksandër Vuçiç për ta parandaluar njohjen e Kosovës nga…
31 janar 2021
E përditshmja izraelite, ‘The Jerusalem Post’ ka konfirmuar se të hënën Kosova dhe Izraeli do t’i vendosin edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike, teksa ka treguar edhe një përpjekje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për ta parandaluar këtë, transmeton Gazeta Express.
Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, megjithatë dhe një burim diplomatik izraelit konfirmoi se Beogradi është i zhgënjyer me zhvillimet e fundit.
Në shtator, burime të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç e bënë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jeruzalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet – megjithëse mund të mbante lidhje të nivelit më të ulët, shkruan gazeta izraelite.
Serbia mund ta hapë ende një ambasadë në Jeruzalem, siç përcakton marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të degradohen, i ka thënë një burim ‘The Jerusalem Post’.
Nënshkrimi i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike do të mbahet në një ngjarje virtuale me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gaby Ashkenazi. Ministra e Jashtme kosovare kishte planifikuar ta vizitonte Izraelin këtë javë, por udhëtimi është shtyrë sepse Izraeli ka ndaluar të gjitha fluturimet për shkak të COVID-19, shkruan ndër tjerash ky medium.
Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator. Marrëveshja përfshinte gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të Kosova dhe Serbia të hapnin ambasadat e tyre në Jeruzalem.
Kosova do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që do ta vendoste ambasadën e saj në Jeruzalem, dhe bashkë me Serbinë do të ishin vendet e para evropiane që e bëjnë këtë. Deri tani, vetëm SHBA-ja dhe Guatemala kanë ambasadat e tyre në Jeruzalem. Shumica e vendeve kanë zgjedhur t’i vendosin dhe t’i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv.
Gazeta Panorama