Gazetarët ankohen te Nikolla, Balla, SHBA-ja e BE-ja për Gardën e Republikës
9 Nentor 2023
Komuniteti i Reporterëve të Politikës i ka dërguar një kërkesë kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, dhe ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, pasi sipas tyre Garda e Republikës po i pengon gjatë raportimeve në parlament.
Me anë të një letre, ata vënë në dijeni edhe ambasadën amerikane në Tiranë dhe delegacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa theksojnë se Garda jep urdhra arbitrarë ndaj punonjësve të medias, duke mos na lejuar lirshëm të bëjmë xhirime, raportime apo intervista.
Gazetarët rendisin kërkesat e tyre, në mënyrë që të mos kenë pengesa në raportimin e lajmit nga Kuvendi.
Kërkesa:
Duke ju uruar punë të mbarë, ne, Komuniteti i Reporterëve të Politikës, kërkojmë të ndajmë me ju një problematikë të hasur prej kohësh, por që së fundmi, është bërë edhe më shqetësuese dhe ka vështirësuar ushtrimin e rolit tonë gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare.
Ne kemi vënë re një shtim të numrit të punonjësve të Gardës që monitorojnë oborrin e godinës ku zhvillohen seancat plenare, të cilët:
-Angazhohen për të dhënë urdhra arbitrarë ndaj punonjësve të medias, duke mos na lejuar lirshëm të bëjmë xhirime, raportime apo intervista, akte këto në kundërshtim me rregulloren e masmedias që ka Kuvendi i Shqipërisë dhe këtë e bëjnë duke ushtruar edhe forcën fizike ndaj gazetarëve dhe operatorëve.
-Punonjës të ndryshëm të Gardës kanë mendime të ndryshme për vendin ku duhet të rrinë gazetarët dhe kameramanët, duke urdhëruar zhvendosje të pajustifikuara.
-Pengojnë gazetarët të marrin prononcime lirshëm dhe në lëvizje në pjesën e jashtme të godinës.
-Pengohet hyrja në kohë e gazetarëve në Komisionet Parlamentare, duke mos na lejuar të dokumentojmë ngjarjet, qoftë këtu edhe dështimin e komisioneve apo aksionet në korridoret e Kuvendit.
Të gjitha këto, krijojnë konflikte dhe tensione të panevojshme gjatë thuajse çdo seance plenare apo të punimeve të komisioneve për të cilat vazhdimisht është vënë në dijeni zyra e shtypit e Kuvendit.
Për sa më sipër, për të shmangur keqkuptimet e mëtejshme, lutemi ndërhyrjen nga ana Juaj, për qartësimin e punonjësve të Gardës dhe të funksionarëve të Kuvendit të Shqipërisë që të garantojnë sigurinë e gjithsecilit pa cënuar punën e medias.
Ne, punonjësit e medias, hyjmë vetëm nga porta kryesore dhe i nënshtrohemi kontrollit fizik dhe automjetet edhe kontrollit të specializuar me qen.
Është fakt se në asnjë rast, nuk është krijuar ndonjë problem nga punonjësit e medias të cilët të kenë rrezikuar sigurinë e ligjvënësve.
Ndaj, në përfundim, kërkojmë:
-Lejimin e çdo operatori mediatik të qëndrojë/lëvizë lirshëm pa asnjë kufizim në të gjitha ambientet e jashtme të oborrit të godinës ku zhvillohen seancat plenare.
-Lejimin e gazetarëve të marrin intervista pa pengesa në pjesën e jashtme të godinës, pa ndërhyrjen e Gardës së Republikës.
-Lejimin e punonjësve të medias të dalin lirshëm nga të gjitha portat e institucionit, duke ruajtur të pandryshueshme hyrjen vetëm nga porta kryesore e kontrollit.
-Të ruhet një gjuhë e përmbajtur dhe jo provokuese nga punonjësit e Gardës, të cilët mund të komunikojnë me gazetarët dhe operatorët vetëm përmes zyrës së shtypit të Kuvendit.
-Të lejohen gazetarët të hyjnë në Kryesinë e Kuvendit 10 minuta përpara orarit zyrtart të njoftuar për zhvillimin e një komisionit, në mënyrë që të dëshmojmë kuorumin, dinamikat dhe arsyet e zhvillimit ose jo të një mbledhjeje të tillë. Duke shpresuar në bashkëpunimin tuaj, ju faleminderit. Me respekt, Punonjësit e medias që ushtrojnë detyrën pranë Kuvendit të Shqipërisë.
/CNA