15 Dhjetor 2023

“… Bëhet fjalë për disa biznesmenë që kontrollojnë mediat kombëtare në Shëqipëri, që kanë shtrirë aktivitetin e tyre në ndërtim, në institucione të caktuara, që kontrollojnë kompani dhe që bëjnë sekserin për të marrë tendera, koncesione, prona publike, leje ndërtimi me kulla”.

Gazetari investigativ, Adriatik Doçi, i ftuar në një program televiziv tha se tensioni në parlament është reflektim dhe shqetësim i dosjeve në Prokurorinë e Posaçme.

Ai tha se SPAK ka nisur hetimet për disa oligarkë mediatikë që janë të lidhur ngushtë me interesa politike dhe po ndërtojnë resorte në jugun e Shqipërisë.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ndjekur një lloj strategjie, sipas gazetarit, i cili theksoi se vitet e para ka goditur grupet kriminale në të gjithë Shqipërinë, më pas hapi dosjet e politikanëve dhe dosjet e treta që po hapen janë të disa oligarkëve mediatikë.

Moderatorja: A ka pasur sekuestrime ekonomike, a ka pasur SPAK-u…dosjet e tij a shkojnë përtej politikës? Në asete ekonomike përtej politikës?

Doçi: Unë besoj që trazimi dhe tymi në parlament është reflektim i dosjeve të nxehta që janë sot në duart e SPAK-ut. SPAK-u ka ndjekur një lloj trendi, stragjie, duke ndjekur strategjinë rumune, fillimisht kanë goditur dy vitet e para grupet kriminale në të gjithë Shqipërinë, kemi pasur dhe sekuestrime pasurie miliona euro, po dal aty tek kthimi i aseteve, pavarësisht se nuk janë asete korrupsioni, të trafikut të drogës apo veprave të tjera. Pas goditjeve të grupeve kriminale, SPAK-u hapi dosjet e politikanëve dhe kupolës politike, asnjëherë në historinë e Shqipërisë nuk ka pasur politikanë, funskionarë dhe ish-funksionarë më shumë se sa sot nën hetim, ish-ministra, gjysma e kabinetit qeveritar, ish-kryeministra, presidenti. Unë e shikoj trazimin në parlament reflektim dhe shqetësim të dosjeve në SPAK. Komisionet hetimore kanë qenë aty, ka pasur pafundësisht komisione hetimore, mund të theksoj se është ngritur komision hetimor edhe për një tërheqje veshi.

Moderatorja: Kush janë dosjet që nuk dihen dhe keni info dhe nuk ka ende publiku i gjerë?

Doçi: Po ndiqet një rend, është goditur krimi i organizuar, po goditet korrupsioni i kupolës politike, dosjet e treta që po hapen janë të disa oligarkëve mediatikë, pra disa bosëve të mediave që janë të lidhura ngushtë me interesa politike dhe po ndërtojnë resorte në jugun e Shqipërisë, po marrin tendera, kontrollojnë një kartelë kompanish, po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash. Pas politikës, po goditen të ashtuquajturit oligarkë mediatikë dhe jo mediatikë të lidhur ngushtë me politikanë, me ish-ministra, disa nga këta kanë dalë edhe tek dosja e një ish-ministri, siç ishte ish-ministri Arben Ahmetaj, emra biznesmenësh, oligarkë të lidhur ngushtësisht me median dhe median kombëtare.

Moderatorja: Po hetohen?

Doçi: Po hetohen nga SPAK-u, pas hapjes së dosjeve kryesore për hetimin e ish-ministrave, pra dhe dosjeve të korrupsionit, po kalon SPAK-u në një fazë të tretë që janë biznesmenë të ndryshëm. Bëhet fjalë për disa biznesmenë që kontrollojnë mediat kombëtare në Shëqipëri, që kanë shtrirë aktivitetin e tyre në ndërtim, në institucione të caktuara, që kontrollojnë kompani dhe që bëjnë sekserin për të marrë tendera, koncesione, prona publike, leje ndërtimi me kulla.