Gazetari italian: Shqipëria, narkoshtet. 45% e ekonomisë vjen nga droga. –

18/03/19. |

45% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, vjen nga droga. Këtë ka deklaruar gazetari i njohur italian, Peter Gomez. Deklarata është bërë në emisionin “Popolo Sovrano” në Rai 2, në datë 7 mars.

Në studio kanë qenë disa të ftuar, duke folur për problemet që adoleshentët italianë kanë me drogën dhe me barnat e shëndetit mendor. Në vazhdën e fjalës së tij, Peter Gomez ka folur për strategjinë që duhet të ndjekë shteti italian, duke shtuar se Shqipëria, e cila është në prag të hyrjes për në Bashkimin Europian, është një narkoshtet.

“Shkojnë arrestojnë shpërndarësit, apo shkojnë në Kolumbi apo mund të shkojnë në Shqipëri, një narkoshtet. Ne bëjmë sikur s’po ndodh asgjë, por Shqipëria që është gati për të hyrë në Bashkimin Europian, është një vend ku 45% e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjen nga trafiku dhe kultivimi i drogës”, ka thënë Gomez.

Peter Gomez është një gazetar i njohur italian, ndër themeluesit e gazetës “Il Fatto Quotidiano”, ku aktualisht drejton platformën online. Më parë ka punuar në gazetën “Il Giornale” të Indro Montanellit, “La Voce” si edhe revistën “L’Espresso”./

Nga: Opinion.al