Gazetarja ukrainase strehohet në trojet shqiptare: – Nga thellësia e zemrës, faleminderit
Gazetarja ukrainase strehohet në trojet shqiptare: – Nga thellësia e zemrës, faleminderit
18 PRILL 2022
Rusët nuk kanë kursyer askënd në Ukrainë, ndërsa kanë vrarë edhe shumë gazetarë të njohur atje. Pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, qeveria e Kosovës më 1 mars 2022, ndau 150 mijë euro, për pranimin e njëzet gazetarëve nga Ukraina.
Fondi mësohet se do të mbulojë shpenzimet për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë për një periudhë deri në gjashtë muaj. Ndërkohë dje në Kosovë ka zbarkuar gazetarja e parë nga Ukraina, Lyudmila Makey, si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”.
Lajmi është bërë i ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Gazetarja Makey e cila është larguar nga Ukraina për shkak të agresionit të Rusisë, pritet që të vazhdojë punën e saj nga Prishtina, ndërsa pas ardhjes në trojet shqiptare, Makey falënderon popullin e Kosovës për mikpritjen.
Ju falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vij në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes.
Ndërkohë strehimi i gazetares ukrainase është përshëndetur edhe nga presidenti i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, i cili përmes Twitter falenderoi Kosovën.
Gazeta Shqip