Genc Gjokutaj: Ai përgjim (i Artan Hoxhës) nuk është provë!
22 Janar 2023
Avokati Genc Gjokutaj thotë se përgjimi i publikuar nga gazetari Artan Hoxha nuk është provë.
Në një lidhje me Skype për edicionin e pasdites në Syri Tv ai tha se 21 janari është hetuar me pasion nga kryeprokurorja e atëhershme, Ina Rama e cila tentoi me çdo mjet të gjente prova, edhe në rrugë antiligjore, kundër ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ai nuk është përgjim që njeh ligji. Personat që e kanë servirur dyshoj se nuk e kanë idenë çfarë është përgjimi dhe si ka vijuar ngjarja, mekanizmi i 21 janarit atë ditë. Ai nuk është përgjim por një tekst që mund ta shkruajë kushdo. Në çdo 21 janar ka nga një lajm të tillë. Sivjet është ligji elektoral, nuk do mjaftonin vetëm homazhet, duhej diçka më pikante për t’ua servirur njerëzve. Po përdoret në mënyrën më të poshtër të mundshme kjo ngjarje. Siç e dimë kjo protestë e organizuar nga PS, ju e dini epilogun e kësaj ngjarje, i dimë edhe prononcimet e politikanëve, organizatorëve.
Dhe për ironi të fatit, prokuroria e atëhershme, sepse këtu zbulohet dhe dekriptohet histori edhe puna e përgjimit që doli pas 12 vjetësh, Prokuroria e Përgjithshme në atë kohë, nën drejtimin e zonjës Ina Rama ka hetuar me një pasion dhe jo objektivisht, për të vënë para përgjegjësisë edhe kryeministrin e Shqipërisë. Ka grumbulluar prova nga më të ndryshmet. Ajo çështje nuk është e pahetuar, është hetuar me pasion dhe shkelje të ligjit për të vënë para ligjit persona që nuk kanë patur përgjegjegjësi”, tha Gjokutaj
Genc Gjokutaj fajëson Edi Ramën se përdor prej 12 vitesh 21 janarin për interesat e tij politike.
Gjokutaj ngre disa pyetje për materialin e gazetarit Artan Hoxha.
“Pse u konservua 12 vjet kjo provë? Ka 10 vjet kjo mazhorancë në pushtet që shkon dhe vendos lule, nderon të rënët. Kjo është një shashkë e Edi Ramës nëpërmjet Artan Hoxhës në këtë vit elektoral. Nëse e kanë këtë vullnet ta bëjnë në formën e kërkuar nga ligji.
Ky dokument, duhet të tregojnë si është përftuar? Nga është përftuar? Ekziston apo jo fizikisht mjeti përgjues? Kush e ka zbardhur? Dhe të shkojë dhe të dorëzohet në organet kompetente përkatëse.
Një provë e konsumuar në publik, nëpër media, televizione, kur po ky shtet bërtet që hetimi sekret, mos prishja e provave dhe bën panair me një provë për një ngjarje shumë të dhimbshme, ku janë larguar 4 vetë, për shkak të dëshirës së pangopur së kësaj mazhorance dhe kryetarit të saj për pushtet. Ai gazetar e di shumë mirë se ku është dera e Prokurorisë. Nuk ka shkuar njëherë në Prokurori ai, nxjerr dokumente. Të shkojë atje dhe të ndihmojë procesin. Ky është populizëm në prag të zgjedhjeve”, saktësoi ai.