Gënjeshtrat publike të “kapter” Sandër Lleshajt

2 Tetor, 2020

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ish-Gjenerali i kthyer në “kapter” partie ka zgjedhur Sokol Ballën, për të bërë mbrojtjen e imazhit të tij. Por pas sulmeve, ai thekson se motivohet më tepër.

Sërish turpësisht Sandër Lleshaj gënjeu. Pa i lëvizur qerpiku ai përsëriti gënjeshtrën e tij të radhës, duke thënë se kishte vetëm një makinë private Honda, të blerë para shumë vitesh.

Në fakt askush nuk i ka kërkuar llogari dhe askush nuk e ka pyetur Sandër Lleshajn se çfarë makine private ka ai.

Por, pyetjet që i janë bërë Sandër Lleshajt dhe që sot ende nuk kanë marrë përgjigje janë këto:

Sa është vlera e vërtetë e makinës BMW luiksoze, blerë në kulmin e pandemisë dhe pas tërmetit?

Pse ky mjet luksoz në këtë kohë?

Cila është procedura që u përdor?

Pse mjetit iu ndërruan targat?

Pse BMW-ja luksoze e ministrit qarkulloi me targa false dhe pa siguracion?

Këto janë pyetjet që ende nuk kanë marrë përgjigje dhe jo fakti se çfarë makine te vjetër ka Sandër Lleshaj.

Më tej mund të theksojmë se gënjeshtrat trasheshin kur Sandri na tregonte sondazhe për sigurinë publike, ditën apo natën.

Në fakt, ka ditë që ai mbledh kufomat me lopatë dhe ka net që krisma e automatikut nuk ndalet, jo vetëm në periferi të Tiranës. E në rast se sondazhin e ka bërë gjatë pandemisë kur njerëzit rrinin në shtëpi dhe Sandri bënte procedura ekstraligjore për blerje mjetesh luksoze, kjo është diçka tjetër.

Por, edhe një pyetje tjetër që nuk ka marrë ende përgjigje.

Sa familjarë ka punësuar Sandër Lleshaj në Ministrinë e Brendshme, duke e kthyer këtë institucion në një godinë ku paguhen qokat që iu bën familjarëve të tij, nipërve, kunetërve, kushërinjve, mbesave e kështu me radhë?

Këto duhej të ishin disa pyetje që Sandër Lleshaj duhet tu përgjigjej, në debat me Sokol Ballën. Dhe jo pallavra propagandistike duke u justifikuar se në fakt nuk është një lojtar i mirë partie dhe nuk bën dot fushatë derë më derë.

Nga ana tjetër Sandër Lleshaj dje në studio, duke mos iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe duke luajtur si një “kapter” partie përfundimisht konfirmoi atë që ne kemi thënë javë e javë më parë. Lleshaj përfundimisht ka humbur gradën e Gjeneralit dhe është kthyer në “kapterin” e Edi Ramës./

CNA.al