Ndonëse nuk është më mes nesh, kontributi që ish-deputeti demokrat Gerti Bogdani ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën vijon të jetë e gjallë dhe të vlerësohet nga të gjithë.

Së fundmi ka qenë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ajo e cila ka dekoruar të ndjerin Gerti Bogdani me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe avancimin e paqes dhe demokracisë në Kosovë dhe rajon!

Ky dekorim nga presidentja Osmani u bë në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe ndër emrat më të njohur që kanë sakrifikuar dhe kontribuar për pavarësinë dhe zhvillimin e vendit.

Ka qenë bashkëshortja e Gerti Bogdanit, aktivistja Edlira Çepani ajo e cila përmes një njoftimi në “Facebook” ka ndarë me ndjekësit disa momente ku dy fëmijët e tyre Ajra dhe Reinarti, të cilët krenarë për të atin morën në duar dekoratën.

“Uroj që fëmijët e çdo babai, të ndjehen aq krenare për babain e tyre sa tanët për ty, Gerti ynë”, shkruan ndër të tjera Edlira Çepani.

Zemra e Gerti Bogdanit ndaloi së rrahuri papritur paraditen e 18 shtatorit 2024 teksa ndodhej në ambientet e Hotel “Rogner” në kryeqytet, nën shoqërinë e kolegëve dhe miqve të tij, gati për të marrë pjesë një takim zyrtar. Fatkeqësisht, 44-vjeçari pësoi një goditje të papritur në zemër. Edhe pse u dërgua menjëherë me autoambulancë në spital, mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

Gerti Bogdani la pas bashkëshorten e tij, Edlira Çepani, dhe dy fëmijë të mrekullueshëm, Ajrën dhe Reinartin. Ai për të gjithë që patën fatin ta njohin nga afër dhe larg, do të mbetet një figurë e respektuar, një baba dhe bashkëshort i dashur, i cili do të kujtohet gjithmonë me mirënjohje dhe dashuri.