Gëzim Hoxha: – Detajet e kishës së shek VI në Hot të Malësisë së Madhe
Gëzim Hoxha: – Detajet e kishës së shek VI në Hot të Malësisë së Madhe
Fatmira Nikolli
– Arkeologu Gëzim Hoxha vjen në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” për të detajuar zbulimin e një kishe paleokristiane në Hot të Malësisë së Madhe. Ai flet për domethënien e gjetjeve arkeologjike dhe procesin e kristianizimit sikundër për raportin e zbulimeve mes jugut dhe veriut të vendit.
– Është zbuluar një kishë në Hot të Malësisë së Madhe. Çfarë kishe është kjo?
Objekti i zbuluar është një kishë paleokristiane. Është objekt i rëndësishëm për Shqipërinë e veriut, mbasi në këtë territor janë zbuluar më pak se në pjesë të tjera të territorit të Shqipërisë. Që është një kishë paleokistiane do të thotë që është një nga kishat më të hershme në vend dhe përfshihet në atë kohë që ne i referohemi si paleokristiane ku përfshihen nga fundi i shekullit IV deri në fundin e shekullit VII. Në këtë kohë në territorin tonë fillojnë e shfaqen kishat paleokristinae si rezultat i kristianizimit gradual të popullsisë. Duke filluar nga fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI është ndërtuar kjo kishë.
– A dihej që ka në atë zonë gjurmë a rrënoja të një kishe? A kishte të dhëna?
Realisht territori i Shqipërisë së veriut nga pikëpamja arkeologjike është një territor disi më pak intensivisht i kërkuar, ndërsa në Jug për arsye edhe të pasurisë arkeologjike por edhe të politikës së institucioneve dhe shtetit në përgjithësi kërkimet kanë qenë më intensive dhe ka më shumë. Rezultatet e viteve të fundit po tregojnë që edhe në Veri ka objekte të tilla kishtare të kësaj kohe, siç është gjetur në Lezhë e rrethinat e saj, si në rrethinat e Mbishkodrës, në Lohe të poshtme dhe së fundmi në ekstremin më verior, në Hot.
– Çfarë shtrirje ka kjo kishë?
Përmasat e saj janë të një kishe normale, unë do të thosha një madhësi mesatare që nuk arrin madhësinë e një bazilike, e cila është më e madhe. Është kishë paleokristiane shumë e qartë në planimetrinë e saj. Me një gjerësi të zonë në formë kryqi, narteksi e quajmë ne, që ka 19 metër, ndërsa pjesë që zgjatet në formën e germës T që formon kryqin, është 21 metër; ndërsa në zonën e trupit të kishës është 8 metra e 60 cm.
– Veç murit, çfarë ka dalë tjetër në dritë që ju ka çuar ju të besoni se i përket këtij datimi?
Muret e kishës, kanë dalë por jo të plotë, për arsye të degradimit nga koha, në pjesën më të madhe të kishës, muret janë ruajtur më mirë në zonën e narteksit. Aty ruhen në lartësinë 1 metër ose 1 metër e 20, ndërsa në zonën e naosit dhe të absidës muret kanë dalë të dobta dhe ne kemi arritur të përcaktojmë vetëm themelet. Jemi fatlum se nëpërmjet gjurmëve ne mund të rikonstruktojmë planimetrinë ekzakte. Veç mureve të ndërtesës, ajo që është më e rëndësishme dhe që ne na ndihmon për të dhënë datimin e kohës së ndërtimit, janë objektet që shërbejnë si plastike dekorative e arkitektonike e sanktuarit të kishës; që përbëhen kangjella, nga altari, nga absida, nga sintroni. Të gjitha këto elemente janë elementet më të bukura, dhe më të trajtuara edhe në pikëpamjet stilistike e artistike, që përbëhen nga gurë të gdhendur, bazamente kolonash, kolona, kapitele, shtyllat e kangjellës ose të templonit ndryshe, që janë të gjitha të gdhendura në gur, në një gur gëlqeror relativisht të butë me ngjyrë të bardhë. Këto na japin një simbolikë tipike të kohës paleokristinae. Gurët e gdhendur të sanktuarit, ka pllaka që paraqesin skena bukolike, skena me kafshë të ndryshme, me simbole të tilla paleokristiane të mirëfillta siç është hardhia, gjethja e hardhisë, bistaku i rrushit, dreri e kafshë të tjerë. Janë të stilizuara në një mënyrë të tillë që në arkeologët janë simbole paleokristine. Nuk mungon ai që për kishat është normale: kryqe të stilizuara.
– Çfarë domethënie kanë bistaku i rrushit, drerit?
Në përgjithësi për periudhën paleokristine, rrënjët e veta i ka në periudhat paraardhëse, por vjen me një interpretim të ri, sipas botëkuptimit kristian. Në rastin e gjethit të hardhisë, e bistakëve ë rrushit, janë burimi nga del vera, e në përgjithësi kuptohen si simbole të asaj që liturgjia kishtare njihet si eukaristia- përjetësimi i shpirtit. Ne e dimë që edhe sot buka e vera janë dy elemente më themelor të kësaj liturgjie. Për drerin ka interpretime të ndryshme, por është një kafshë që paraqitet shpesh në simbolikën paleokristiane, në gur të gdhendur, mozaik a në pikturë murale të kohës që është me rrallë. Dreri, ujku, bariu- shpesh i paraqitur në perfiguracionin e pastorit të mirë që është simbol i Krishtit. Jeta baritore, bukolike- siç e quajmë ne në gjuhën e arkeologjisë- është e paraqitur në skenat paleokristiane, në objekte të ndryshme. Në rastin tonë, në kishën e Hotit, është kryesisht në gur gëlqeror.
– Profesor, nëse këtë zbulim duam ta vëmë në hallkat e vijimësisë iliro-arbërore, çfarë na thotë kjo kishë për të dhe për etninë e zonës?
Nuk do të ngutesha të flisja për një lidhje historike. Do të preferoja për momentin të flisja për problemin e kristianizimit të popullsisë. Kisha kaq të hershme ne na flasin direkt që popullsia është kristianizuar në një masë të madhe, sepse kisha me përmasa të tilla tregojnë se ka komunitete të mëdha banorësh që jetojnë nën komunitetin kristian. Kjo kishë dhe të tjerat të kësaj kohe tregojnë se territori shqiptar është kristianizuar shumë herët menjëherë pas pranimit të fesë kristiane si fe zyrtare. Në arkiva e biblioteka gjenden ato që ne i njohim si koncile kishtare që janë shumë të rëndësishme. Në aktet e koncilet e kësaj kohe përmenden ipeshkvë nga territori shqiptar që marrin pjesë në këto koncile.
– Duke qenë se kjo kishë është shumë më e hershme se skizma, sa përbashkues është një zbulim i tillë, për ortodoksët dhe katolikët?
Do të thosha që përbashkimi ka ekzistuar, e ndarja ka ardhur më vonë. Në gjirin e komunitetit kishtar, që në këtë kohë (shek.V-VI) lindin herezitë, arianizmi, monfizitizmi, fotinianizmi, akacianizmi; kulminacioni i të cilave është skizma, me luftratkundër ikonave dhe ndarja e kishës që ka ndodhur në shekullin e XI. Ndarja e kishës ka ndodhur 5 shekuj pas datimit të kësaj kishe.
– Ju keni punuar shumë me kishat e veriut, ndërsa më herët folën për zbulime në jug e në veri. Jugu ka Voskopojën pothuaj të plotë, e në zona të tjera ka shumë kisha në gjendje shumë të mirë. Si është e mundur që kishat mesjetare në veri, janë kaq të pakta? Nuk janë ruajtur apo?
Është pak e vështirë të përgjigjem saktësisht. Do të thosha që për periudhën paleokristiane janë si në jug dhe në veri- në jug janë më të gjurmuara. Është përqendrim i kërkimit arkeologjik. Kjo s’do të thotë që veriu nuk ka- kërkimet po tregojnë se ka.
– Keni bërë një studim për kishën e Balldrenit?
JO vetëm për të, por për kishat e Lezhës bashkë me Luan Përzhitën. Atje janë kisha nga antikiteti i vonë deri në Mesjetë. Kishat mesjetare janë më të shumta- sepse bëhet fjalë për komunitetet të konsoliduara, ndërsa paleokristianet flasin për kristianizim. Mesjeta është e mbushur me kisha në jug e në veri.
-Por, jugu i ka të ruajtura, veriu jo. Pse?
Në veri kanë qenë kisha të natyrës romanike, në jug të natyrës bizantine.
-Janë të ruajtura si në Voskopojë, si në Labovë të Kryqit, si në Sarandë, në Dhërmi, Himarë. Ndërsa në veri, është e Balldrenit, e Pllanës, dhe çfarë ka tjetër?
Mbase nuk mund të gjej tërësisht arsyen por do të thosha që për arsye të monumentalitetit, zbukurimeve, për arsye të afreskeve të shumta që kanë ekzistuar në kishat e jugut, që janë më të pasura, ndoshta ka bërë që të ruhen më shumë si monumente; jo me atributin e vet fetar edhe gjatë kohës së kaluar të ateizmit. Në veri kishat nuk kanë pasur kaq shumë ‘stoli’ sa në jug dhe kanë degraduar gradualisht. Ndaj janë të ruajtura si në Voskopojë që është komunitet me 24 kisha, ose Vithkuqi, etj- të tilla komunitete kaq të konsoliduara në veri nuk i kemi. Specifikat e veriut edhe si territor është më i shpërndarë e në zona më malore e të veçuara.