GJAKOVARI QE I KENDOI BERATIT.-

Nga: Ajet Nallbani.

Ishte viti 1836 kur muzikanti, krijuesi i këngëve dhe instrumentisti gjakovar Hamez Kovaçi-Çarkaxhiu dëgjon për Sulejman Beun. Niset në muajin e Ramazanit (në njërën nga ditët e tij) për në Berat. Në ditën e fundit të Ramazanit, për t’u shplodhur, futet në një klub ku, paska pasur një karrige-vend të caktuar ku ulej Sulejman Beu, pinjoll i Vrionasve (nip i Ymer Pashë Vrionit). Pronari natyrisht nuk e njeh dhe e nuhat që është nga larg dhe jo nga Berati. Hamzai sheh njerëz aty që ishin ulur edhe si ngushtazi dhe (për çudinë e tij) një karrige bosh e mbuluar me një mbulesë karrigeje të bukur e të fisme. Pa një pa dy shkon e ulet mu tek ajo karrigeja. Pronari i afrohet dhe i thotë: “Më falni, kjo karrige është e ndarë për Sulejman beun dhe askush nuk mund të ulet aty. Sulejman beu e ka kohën e caktuar kur vjen dhe kjo kohë po afron, ndaj të lutem ngreu nga kjo karrige”! Hamzai, shumë gjakftoftë ia kthen: “Në rregull, unë s’thyej parime e rregulla por, kur të vijë Sulejman beu unë do ngrihem e do ia liroj karrigen”. Pronari e shef që s’është punë që të bindet mysafiri ndaj nuk e zgjati.

Pas porositjes nga ana e mysafirit nga Gjakova, kalojnë nja 10-15 minuta dhe në rrugë duket një burrë i pashëm, shumë i fisëm, i veshur si më së miri dhe në moshë fare të re por me një qendrim dinjitoz. Hamez Kovaçi e nuhat që ky ishte Sulejman beu me shpurën e tij, burra trima, dhe ngrihet menjëherë, ikën deri te dera dhe aty, nga dera e nis këngën që sot njihet si kënga me titull “T’tridhjetën ditë në Ramazan”. dhe, pasi përfundon këngën. Sulejman beu ndjehet tepër i nderuar dhe e fton mysafirin, me atë rast ata dhe bisedojnë gjërë e gjatë për shumë gjëra si këngë, çështje të fesë etj. Në këngë përmendet dhe Alush beu (Frakulla). Kënga këndohet LIVE (pa shoqërim instrumental) nga Muhamet-Met Godeni (1932-2013) këngëtar nga Gjakova, pjestar i gjeneratës së Qamilit të Vogël. Mohikani i fundit i asaj gjenerate. Si dhe një variant tjetër i orkestruar.
Falenderim studiusit , profesor Behar Arllati për materialin me vlerë.