Gjallesa tokësore më rezistente në botë
8 Nentor 2024
Ekzitojnë disa qënie mikroskopike që as nuk i keni parë dhe nuk besoj se do keni rast t’i shihni ndonjëherë. Ato quhe tartigradë ose arinjtë e ujit. Trupi i tyre, nga 0.1 deri në 0.5 mm, ngjan me atë të ariut.
Tartigradët janë qëniet më të habitshme në botë. Ata mund të jetojnë në thellësinë 4000 m të oqeaneve e deri në lartësinë 6000 m të Himalajeve.
Një tartigradë u reziston rrezatimeve të forta ultraviolete por edhe rrrezatimit jonizues, mund t’i rezistojnë temperaturës -200 gradë celsius për 24 muaj, por edhe asaj + 170 gradë Celsius, mund t’i rezistojnë një trysnie 1200 herë më të madhe se ajo e ajrit të zakonshëm, por edhe një mjedisi 100% me alkool të pastër, me dyoksid karboni dhe gazi sulfuror.
Tratigradët nuk duan t’ia dinë për ujë. Në mjedise të thata ata thahen dhe marrin trajtën e një topi. Tartigradët mund të qëndrojnë kështu për dhjetra vite. Ata mund t’i marrë era me vete dhe t’i shpërndajë si kokrrizat e pluhurit. Kur bien në kushte të përshtatshme hidratohen dhe rimarrin jetën përsëri.
Në vitin 2007 ata u bënë pjesë e fluturimeve kozmike dhe i rezistuan me sukses vakumit të hapësirës dhe rrezatimit për 10 ditë.
Ndoshta, tartigradët e misionit hapësinor izraelit Beresheet, që u përplas ne Hënë në vitin 2019, janë ende atje si banorët e parë të këtij sateliti të Tokës.
Në historinë e Tokës kanë ndodhur disa zhdukje masive të llojeve të gjalla, por tartigradët kanë mbijetuar. Ku i dihet, zhdukje të tilla mund të ndodhin përsëri. Nëse do të ndodhte që edhe lloji njeri të zhdukej përfundimisht, me shumë gjasa tartigradët do të mbijetojnë përsëri.
Kjo është historia e aventurës së jetës, përfshirë edhe atë të njeriut, ndaj duhet ta njohim atë.
Ps. Pjesë nga botimi ne pergatitje e siper per të vërtetat e pabesueshme të botës së gjallë shtazore.