At Zef Pllumi – Mbi gjamen e fundit te burrave ne komunizem. – (Viti 1967)

“Në këtë kohë ndodhi që u hoq ai instruktori i partisë që ishte nga Shkodra me atë detyrë e erdh Muç Hajdari prej Koplikut. U fol se ishte i fortë e se partia e kishte prû për me e shtrue për dhé Dukagjinin katolik.
Në të vërtetë, Dukagjini kish ndrrue pak, ose aspak, nga kohët e vjetra. Pa dyshim, mund të thohet se i vetmi ndryshim gjatë kohës së partisë ishte se, në vend të fretënve që dikur bâjashin shërbimin fetar, tash në vend të 15 ishim vetëm katër. Gjithëashtu “bajraktarët” ishin xavendësue nga disa të tjerë, që thirreshin “sekretarë organizatash bazë”, por po me ato kompetenca ose mâ t’urretjun prej popullit. Dukagjini ndodhej në nji gjendje të mjerueme: pa rrugë, pa tregti, pa rrjet telefoni, pa korrekt elektrik, pa ujë. I vetmi përparim përparim ishte vorfnia, që thyente rekordet botnore. Ato pak shkolla ishin krejt formale, bile mjaft të damshme, sepse kultivojshin terr e çthurje morale, sepse arsimtarët e kishin për detyrë me pvetë fmijët e pafaj së shka bâjashin prindët e tyne. Gjithëashtu e msojshin parullen e parrullave: Parti, Enver jemi gati kurdoher”. Pra vetëm spijunllek. Vetë pushtetarët lokalë të komunizmit veprojshin simbas dokeve të vjetra, sa edhe me praktikën komuniste. Me fjalë të tjera, ishte një çorbë e pakrypë dhe e pa shije, tepër e vështirë me u gëlltitë.
Muç Hajdari me zell të madh zbatoi vijën e partisë që kish shpallë “vitin e kursimit”. Me duhet me ju tregue se mjerisht, gjatë pothuaj pesëdhetë vjetëve të pushtetit komunist, nuk u shpall kurrnji “vit mirëqenieje”, “vit begatije” ose ” bolleku”, por pa përjashtim të gjitha kjenë “vite kursimi”, që po ta përkthejmë shqip dun më thanë: vite zije e mjerimi. Partia kërkonte se ku mund të gjente nji burim kursimi në Dukagjinin Katolik, që figuronte “nën kufinin e mizerjes”. Çdonte partia aty? Vetëm me nxjerrë dhjamë prej pleshtit?
Kështu thotë një shprehje e jona popullore.

Muç Hajdari, me anë të mbledhjeve e stërmbledhjeve provokuese, gjithkund të përseritura nëpër Dukagjinin e terrorizuem, ia dul me vû nji “sund” ose , siç e thirrshin ata mâ të vjetrit, “usulli”, nëpërmjet të cilit këto mbledhje popullore, të gjitha njizani, kishin vendos me hjekë “gjamët” edhe “festat fetare”, kinse të dyja me shpenzime të mëdha në Dukagjin. Sa për “festat fetare”, due me spjegue se në Dukagjin ishte një zakon shumë i vjetër që çdo fis ose katund kremtonte nji herë në vjetë nji ditë të veçantë, që thirrej me emrin e ndonji të Shêjtit., si për shembull: Shala Shënjonin e Shoshi Shëqurkun. Atê natë ndezëshin qirin, piqshin ferlikun e mblidhshin miq, bija, nipa e mbesa e rakija e vena derdheshin lum. Kremtohej 3-4 ditë e miqtë shetitshin pothuaj shpi për shpi. Këto thirreshin “festa fetare”, pamvarësisht se ndër ato ditë nuk i shkonte kujt ndër mend ,e shkue të kisha, ishin kryesisht ditë takimesh të padishrueshme prej komunistave.
Sa për ndalimin e “gjamës”, në këtë rasë partia luftonte, ose mâ mirë me thanë zhdukte doken mâ të vjetër, pa dyshim parahistorike. Gjama zhvillohet kur vdiste nji njeri: burrë ose grue, plak ose fëmi, nuk kishte asnji dallim; vdekja ke për të gjithë e barabartë: zhdukja e një jete.
Ndërsa u gjindshem në Kir, te kolegu im At Sebastjan Dedaj, njeri shumë praktik e mâ i vjetër se un, siç ishim tue e ndejë bashkë n’oborr të kishës, qe se ndigjohet nji zâ i thekshëm: kumt i vdekjes.
– Ndigjo, – më tha kolegu, – nuk ke si kthen në Shosh: nesër mbrama këtu do të gjindemi para nji ngjarja sa të madhe, asht vdekja e parë mbas shpalljes së “sundit”. Të shofim ç’do të bëhet. Mrikë Kacelja, që diq, ishte bijë e Prekalit e ndoshta Prekalorët nuk do t’i shtrohen “sundit”.
Ishte doke, tepër e vjetër edhe kjo , që fill mbas vdekjes së kufomës i hiqeshin përbrendësat (zorrë e melçi etj) nga nji burrë i specializuem dhe pregatitej i dekuni për ta ekspozue në nji log të shtëpisë. Plaka kishte dekë në moshën 76 vjeçare, por kufoma mbante gjithnji bukuri mbas pregatitjes. Shtëpia e saj ishte aty, nja 10 minuta afër kishës së Kirit.
Njaty nga ora pesë e mbasditës malet shungulluen në largsi nga nji gjamë burrash: “i mjeri û për ty, o vllaaa”. Tri herësh u përsërit gjama e gjithëkush tha më vedi: po vjen Prekali e paskan hî në Kir. Mbas nji gjysëm ore malet jehuen gjamën tjetër, shumë mâ të fortë e të rrebtë. Tri herësh persëri ushtoi “I mjeri û për ty, o vllaaa”. Mandej nji heshtje e thellë, që priste dishka. Mendojshim me veti: Kanuni ynë i maleve asht me të vërtetë i çuditshëm. Në pamjen e parë duket nji ligjë e egër, barbare njilloj si Kodi i Hamurabit, e para ligjë e shkrueme që njef njerëzimi. Por, po u thellove në të, gjen aty nji botëkuptim aq njerëzor, sa nuk të besohet: sot këta e thrrasin “vlla” motrën e vet të dekun. Kjo gjuha e jonë, në lashtësinë e saj, gruen e thirrte “e shoqja e filanit” e jo “grueja e filanit”. Pra, koncepti i barazisë në Kanunin primitiv të Maleve tona ishte mâ i saktë se ky i ligjeve moderne. Fjalët e gjamës në Dukagjin ishin vetëm dy: “vlla” ose “mik” e nuk pranonte tjera.
Ndërkaq na te dy fretënt u ulem aty poshtë te shtëpia që kishte mortin. Autoritetet shtetnore e partiake të Dukagjinit ishin të gjitha aty, t’acaruem për me imponue mbajtjen e “sundit”. Na te dy fretënit u avitëm te kufoma e shtrime aty në mes të livadhit; vajtojsat rreth saj e ndalën vajtimin e na i dhamë bekimin e fundit. N’atë ças toka se ç’u trondit. Në krye të livadhit, tue ecë me nji ritëm të veçantë, shungullonte truelli për nën kambë. Ishin rreth katërdhjetë burra, e pothuaj aq gra mbas tyne, të gjitha të veshuna në të zi e kishin të ngarkueme në shpinë ka nji bukë kallamoqe e nji dorcë djathë. Qeleshet e bardha në krye jepshin gjasimin e maleve të nalta mi borë. Nji vigan burri, në mes të rreshtit të parë, hoq qeleshen prej kreje dhe e shtini në gojë.
Instruktori i partisë, Muç Hajdari u duel para në mes të livadhit tue britë si i terbuem. “Ndaloni! Ndaloni! Shiko! Dukagjini, simbas mësimeve të Partisë, ka vû sund…”. Por ende pa i krye fjalët, ai burri me kapuç në gojë i bani shéj me dorë që të lironte rrugën dhe menjiherë, kur ai çoi dorën nalt, u dha gjama e madhe. ” I mjeri û per ty, o vllaaaa! ûûû!” Dhe, tuj rrahë gjokset me grushta e tokën me hapa sulmi, u lshuen turr përpara. Muç Hajdari nuk mund i priti, por duel anash e, tue turfullue, u largue vrik me gjithë çetën e tij pushtetare. Ndërsa në mjedis livadhit burrat filluen gjamën e dytë: I mjeri …”.


Disa herë u përsërit ky ceremonial i pafrigueshëm dhe atëherë të gjithë me turr u lshuen në një gjû rreth viigut të dekës së ranë përmbys tue britë e vajtue, ashtu të lamë me gjak me kapuça të hjekun”