Gjate janarit dhe shkurtit 2022 eshte shitur Energji Elektrike jashte Shqiperise. Kjo e dhene sipas shifrave zyrtare te INSTAT. – Fierza drejt pikës së vdekjes, situatë e rëndë energjetike.

21 Mars 2022

Liqeni i Fierzës ka rënë në 17 metra larg pikës së “vdekjes”, në nivelin e pesë viteve më parë kur Shqipëria u përball me krizën e rëndë energjitike. Nëse prurjet në kaskadë mbeten të njëjta na presin ditë të këqija.

Rrënojat e Kukësit të vjetër kanë dale mbi liqenin e Fierzës. Për herë të fundit u panë në vitin 2017 kur Shqipëria u përball me një krizë të fortë energjetike për mungesë të prodhimit.

Disa godina dhe trupi i urës së Kullës së Lumës që dikur lidhte rrugën e vjetër Kukës- Prizren tashmë janë të dukshme.

Ndërsa këto pamje në video tregojnë pikën ku bashkohen Drini i Zi dhe Drini i Bardhë.

Aktualisht niveli i ujit është 257, ose 17 metra larg pikës së “vdekjes”.

Balluku: Situata energjitike e vështirë, do të importojmë, të konsumojmë sa më pak

E tillë për basenin më të madh ujëmbledhës në kaskadën e Drinit cilësohet niveli minimal 240 metra.

Kuota maksimale e liqenit është 296 metër, ndërsa 271 metra cilësohet si pikë optimale në Fierzë.

Por të dhënat zyrtare tregojnë se jemi në skenarin e keq.

Sipas KESH, prurjet në Kaskadë janë më pak se 80 m3/s.

Për për të menaxhuar rezervat, në Hidrocentralin e Fierzës po mbahen në punë 3 nga 4 turbinat që prodhojnë energji.

Mungesa e prurjeve dhe prodhimi i energjisë po e çojnë liqenin drejt tharjes.

Nëse reshjet do të mungojnë, me këtë ritëm të rënies së nivelit të ujit brenda pak ditësh të gjithë rrënojat e Kukësit të vjetër mund të jenë të dukshme.

Shpresat për ndryshimin e situatës janë vetëm te reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës në male.